Gjykimi për vrasjen në Dragodan, do të bëhet ekzaminimi i rrobave që viktima kishte veshur në momentin e ngjarjes kritike

 Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin për vrasjen në Dragodan, u vendos që të bëhet ekzaminimi i rrobave që tani i ndjeri R.T., i kishte veshur në momentin kritik. Në këtë rast, Avni Mustafa akuzohet për vrasjen e R.T,. në lagjen Dragodan dhe për armëmbajtje pa leje. Ndërkohë, Mustafë…

Lajme

16/03/2026 17:21

 Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin për vrasjen në Dragodan, u vendos që të bëhet ekzaminimi i rrobave që tani i ndjeri R.T., i kishte veshur në momentin kritik.

Në këtë rast, Avni Mustafa akuzohet për vrasjen e R.T,. në lagjen Dragodan dhe për armëmbajtje pa leje. Ndërkohë, Mustafë Mustafa po akuzohet për pjesëmarrje në rrahje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa Leutrim Mustafa për manipulim me prova.

Fillimisht, mbrojtësi i të akuzuarit Avni Mustafa, avokati Besnik Berisha, propozoi që të bëhet ekzaminimi për grimca të barotit, në rrobat e tani të ndjerit.

Një propozim i tillë erdhi pasi që prokurorja e rastit, Fatmire Cacaj, kishte njoftuar paraprakisht se pas një njoftimi nga hetuesit policorë, të njëjtët e kanë informuar se disa nga rrobat e tani të ndjerit gjenden në dhomën e dëshmive në Prishtinë.

Ky propozim u aprovua nga kryetari i trupit gjykues, Gent Beka.

Ndryshe, në këtë seancë ishte paraparë që të dëgjohet në cilësinë e dëshmitares, ekspertja e psikiatrisë, Blerina Hoxha, por ajo paraprakisht e kishte njoftuar gjykatën se në këtë orar është paracaktuar në një rast tjerër, andaj nuk mund të jetë e pranishme në seancën e sotme.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 tetor 2023 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Avni Mustafa ngarkohet se më 19 mars 2023, rreth orës 13:20 në afërsi të hotelit “Adria” në Prishtinë, për shkak të një konflikti pronësor që dyshohet të jetë fajde, e ka privuar nga jeta tani të ndjerin R.T, duke e goditur një herë me revole në regjionin e gjoksit. Paraprakisht, thuhet se me vëllanë e tij Mustafë Mustafa ishin takuar me tani të ndjerin dhe dy dëshmitarë, e që pas fjalosjes nisën të dalin nga hoteli ku i akuzuari Avni nxjerr revolen nga çanta e repetit dhe ia drejton R.T., e ky i fundit me qëllim të vetmbrojtjes nxjerrë thikën dhe e godet të pandehurin Mustafë e më pas të pandehurin Avni. Kështu, thuhet se duke u rrahur dalin jashtë hotelit, e më pas i pandehuri Avni shtie me armë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse viktimës R.T.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 172 të Kodit Penal dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

Aktakuza thotë se i akuzuari tjetër, Mustafë Mustafa në kohën dhe vendin e njëjtë, akuzohet se mori pjesë në rrahje të tani të ndjerit dhe se posedoi thikë, të cilën ia kishte marrë tani të ndjerit. Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje” nga neni 187, par.1 të Kodit Penal  dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

Ndërkaq, i akuzuari Leutrim Mustafa akuzohet për veprën penale “Manipulim me prova” nga neni 389, par.1 të Kodit Penal, pasi që në aktakuzë thuhet se ka pranuar nga i pandehuri Mustafë Mustafa çantën e tani të pandehurit Avni Mustafa në të cilën ishte revolja e  tipit “Zastaava”, me të cilën ishte kryer vepra penale dhe të njëjtën e kishe fshehur në zyrën e tij./BD