Gjykatat dhe Prokuroritë Themelore mbeten në Veri

Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk do t’i lëvizë Gjykatën dhe Prokurorinë Themelore nga Mitrovica e Veriut, sado që ato territorialisht nuk i përkasin asaj pjese.

Lajme

12/11/2013 09:11

Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk do t’i lëvizë Gjykatën dhe Prokurorinë Themelore nga Mitrovica e Veriut, sado që ato territorialisht nuk i përkasin asaj pjese.

Ky këshill, pa bërë ndonjë ndryshim në ligj ka filluar riorganizimin e sistemit gjyqësor në veri të Kosovës sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, raporton Radio Kosova.

Marrëveshja e Brukselit, e nënshkruar në prill të këtij viti nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Ivica Dacic, në pikën 10 për gjyqësorin përveç tjerash përfshin krijimin e një Paneli të veçantë, të përzier etnikisht të Gjykatës së Apelit në këtë pjesë.

Ndërsa ligji për gjykatat në nenin 17 e përcakton Gjykatën e Apelit si gjykatën e vetme të shkallës së dytë me juridiksion territorial në gjithë vendin.

Kreu i pushtetit Gjyqësor, Enver Peci i ka thënë Radio Kosovës se po presin interesim më të madh të gjykatësve serbë që ky proces të vazhdoj më tutje.

“Si grup teknik ne ende nuk jemi ftuar nga autoritetet rreth pikës që ka të bëjë me gjyqësorin. Ka qenë problemi i zgjedhjeve që e ka shty këtë pikë. Pastaj është një proces që duhet të kryhet që ka të bëjë me interesimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve që duhet t’i shkojnë presidentes si propozim. Pra faktikisht deri më tani nuk ka pasur ndonjë lëvizje apo marrëveshje”, ka thënë Peci.

Për t’i dhënë nuancat e një sistemi gjyqësor të unifikuar Këshilli Gjyqësor do të ia lërë territorialisht Komunës së Mitrovicës Veriore selinë e gjykatës dhe prokurorisë themelore. Po ashtu ligji për gjykatat parasheh mundësinë e themelimit të degëve të reja sipas nevojave të strukturës së popullsisë, në këtë rast edhe në ndonjë të tillë për ndonjë nga komunat veriore.

Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se pavarësisht ligjit mbetja e gjykatës dhe prokurorisë themelore në territorin Mitrovicës së Veriut do të ishte në favor të stabilitetit të sistemit të drejtësisë në këtë pjesë.

“Fuqinë e një gjykate apo prokurorie themelore nuk mund ta kenë komunat me shumicë serbe në atë pjesë e as në pjesë të tjera, sepse ligji për gjykatat i parasheh vetëm 7 gjykatat dhe prokurori themelore dhe kjo nuk duhet të ndryshojë”, ka thënë Musliu.

Sidoqoftë pika dhjetë e marrëveshjes së Brukselit që përfshinë gjyqësorin vazhdon të sfidojë rregullimin e autoritetit gjyqësor në pjesën veriore të Kosovës.