Gjykata Supreme ua bëri të ditur se s’kanë të drejtë të shqiptojnë gjoba e të vendosin bllokues- “Prishtina Parking” në proces të hartimit të rregullores së re
Qytetarët e Prishtinës prej disa kohësh janë përballur me shkeljet që janë bërë nga ana e “Prishtina Parking” në drejtim të tyre. Gjoba të paarsyeshme, e bllokime të veturave merrnin thuajse çdo kohë qytetarët të cilët jetojnë në Prishtinë- apo edhe ata të cilët vinin për një kohë të shkurtër. E këto parregullsi që u…

Lajme
Qytetarët e Prishtinës prej disa kohësh janë përballur me shkeljet që janë bërë nga ana e “Prishtina Parking” në drejtim të tyre.
Gjoba të paarsyeshme, e bllokime të veturave merrnin thuajse çdo kohë qytetarët të cilët jetojnë në Prishtinë- apo edhe ata të cilët vinin për një kohë të shkurtër.
E këto parregullsi që u shkaktoheshin qytetarëve bën që të njëjtit të ankohen vazhdimisht. Pas ankesave të shumta rasti shkoi edhe në procedurë gjyqësore.
Gjykata Supreme ditë më parë ia shpalli të paligjshme disa nene të rregullores së ndërmarrjes “Prishtina Parking”, përfshirë këtu dënimet dhe bllokimet e veturave.
Në lidhje me këtë çështje, lajmi.net ka kontaktuar me “Prishtina Parking”, të cilët e kanë konfirmuar se janë në proces të hartimit të rregullores së re.
Por sipas tyre, vendimi i Gjykatës ka prekur dispozitat që prekin instrumente të rëndësishme të funksionalitetit.
“Ndërmarrja ka pranuar vendimin dhe, bashkë me ekipin ligjor dhe në konsultim me aksionarin, jemi duke punuar në adresimin e të gjitha çështjeve të ngritura nga Gjykata. Vendimi i Gjykatës ka shfuqizuar pjesërisht disa nene të Rregullores së ‘Prishtina Parking’, përfshirë dispozita që prekin instrumente të rëndësishme për funksionalitetin dhe qëndrueshmërinë financiare të ndërmarrjes.”, thanë nga “Prishtina Parking”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Tutje, nga kjo ndërmarrja thanë se janë të interesuar të mos “preken” punëtorë e të ruajnë numrin aktual të tyre.
“Zbatimi i vendimeve të gjyqësorit është i padiskutueshëm për ne. Megjithatë, jemi të përkushtuar që gjatë këtij procesi të sigurojmë që ndërmarrja të mos cenohet, dhe që të mbrojmë të gjitha funksionet e saj esenciale. Në këtë kontekst, një nga prioritetet tona është që të mos preken punëtorët dhe të ruajmë numrin aktual të të punësuarve, veçanërisht në një kryeqytet që po rritet me shpejtësi si në aspektin e zonave të banueshme, ashtu edhe të fluksit të automjeteve që hyjnë dhe dalin çdo ditë.”
Sipas “Prishtina Parking” ky është edhe momenti që të adresojnë edhe çështje tjera të cilat ndikojnë në rritjen e performancës.
“Gjithashtu, ky është edhe një rast i mirë për ne që të adresojmë shumë çështje tjera që ndikojnë në rritjen e performancës, funksionalitetit dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjithë konsumatorëve. Jemi në proces të hartimit të Rregullores së re, e cila do të reflektojë këto qëllime dhe nevoja.”, u shprehën nga “Prishtina Parking”.
Pavarësisht insistimit, nga kjo ndërmarrje nuk kanë dashur të përgjigjen direkt se si do t’ia bëjnë tani dhe se cila do jetë përgjigja për shkeljet e shumta që kanë bërë në drejtim të qytetarëve.
Madje nga “Prishtina Parking” nuk bëhet ende e ditur se si do të jetë rregullorja e re- e se si në fakt do të rregullohet çështja e parkingjeve një situatë mjaft komplekse për qytetarët e Prishtinës.
Kësisoj tani qytetarët janë të siguruar nga vendimi i Supremes se s’do të mund t’u vendosen bllokues tek automjetet e tyre./lajmi.net/