Gjykata Supreme refuzon ankesën e Vetëvendosjes për zgjedhjet në Hani të Elezit: “Ankesa ishte jashtë afatit ligjor”
Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), dega në Han të Elezit, lidhur me pretendimet për parregullsi gjatë ditës së votimit në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025. Sipas aktgjykimit të nënshkruar nga gjyqtarët Faton Ademi (kryetar), Faton Bajrami dhe Muhamet Rexha, ankesa e këtij subjekti politik është…
Lajme
Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), dega në Han të Elezit, lidhur me pretendimet për parregullsi gjatë ditës së votimit në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025. Sipas aktgjykimit të nënshkruar nga gjyqtarët Faton Ademi (kryetar), Faton Bajrami dhe Muhamet Rexha, ankesa e këtij subjekti politik është hedhur poshtë për shkak se është dorëzuar pas afatit ligjor të paraparë.
Në vendimin e bërë publik më 23 tetor, Gjykata Supreme konstaton se Vetëvendosja kishte dorëzuar ankesën në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) më 15 tetor, ndërsa zgjedhjet ishin mbajtur tri ditë më herët. “Në mënyrë të sigurt është vërtetuar se ankesa është dorëzuar në PZAP më datë 15.10.2025, ndërsa zgjedhjet janë mbajtur me 12.10.2025… që do të thotë se ankesa është dorëzuar pas afatit ligjor të paraparë me nenin 119 paragrafi 1 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës”, thuhet në aktgjykim, transmeton lajmi.net.
LVV kishte pretenduar se gjatë ditës së votimit ishte cenuar fshehtësia e votës, pasi sipas tyre numri i votuesve me asistencë kishte qenë jashtë çdo norme zgjedhore, duke përfshirë edhe persona të rinj e të aftë për të votuar vetë. “Numri i votuesve me asistencë është 312 raste, që tejkalon çdo mesatare normale, marrë parasysh numrin total prej 4,961 votuesve”, kishte theksuar subjekti ankues.
Por, Gjykata Supreme e ka cilësuar të drejtë qëndrimin e PZAP-it, që e kishte hedhur poshtë ankesën për vonesë. “PZAP-i e hedhë ankesën kur vlerëson se ajo nuk është dorëzuar në afatin e paraparë ligjor”, theksohet në arsyetimin e vendimit. Gjykata shton se afatshmëria në procesin zgjedhor është “jetike” për të mos u zvarritur procesi.
Po ashtu, Gjykata Supreme ka theksuar se vendimi i PZAP-it “nuk cenon nenin 31 të Kushtetutës së Kosovës, nenin 13 të KEDNJ-së e as nenin 2 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike”, duke theksuar se Vetëvendosja kishte pasur të garantuar të drejtën për ankesë, por nuk e kishte shfrytëzuar brenda afatit.
Në përfundim, Gjykata ka konstatuar se pretendimet e tjera të Vetëvendosjes nuk mund të shqyrtohen në meritë, pasi “aspekti i afatshmërisë është veprim paraprak që nuk mund të anashkalohet”. Me këtë, vendimi i PZAP-it është vërtetuar si i drejtë dhe përfundimtar./lajmi.net/