Gjykata merr vendim për Projektligjin për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme që PDK e çoi në Kushtetuese

Partia Demokratike e Kosovës e pati dërguar dje në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri bashkë me nëntë deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës patën parashtruar në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e…

Lajme

26/06/2024 15:09

Partia Demokratike e Kosovës e pati dërguar dje në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri bashkë me nëntë deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës patën parashtruar në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Gjykata Kushtetuese sot i ka kthyer përgjigjen PDK-së duke konstatuar se kërkesa është e pranueshme, transmeton lajmi.net.

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm në tërësi Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

“Gjykata ka vendosur që (i) njëzëri, të deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe (ii) të konstatojë, me tetë (8) vota për dhe një (1) votë kundër, që pika 2.1 e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) në lidhje me paragrafin 2 të nenit 34 (Shqyrtimi në shkallën e parë) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës dhe paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iii) të konstatojë, me tetë (8) vota për dhe një (1) votë kundër, që pika 2.2 e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) në lidhje me paragrafin 3 të nenit 22 (Periudha e verifikimit të pasurisë) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (iv) të konstatojë, me gjashtë (6) vota për dhe tri (3) vota kundër, që pika 1.1 e paragrafit 1 të nenit 10 (Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me nenin 106 [Papajtueshmëria] të Kushtetutës; (v) të konstatojë, me tetë (8) vota për dhe një (1) votë kundër, që pika 1.2 e paragrafit 1 të nenit 10 (Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 136 [Auditori i Përgjithshëm i Kosovës] dhe paragrafët 1 dhe 2 të nenit 137 [Kompetencat e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës] të Kushtetutës; (vi) të konstatojë, me gjashtë (6) vota për dhe tri (3) vota kundër, që pika 1.4 e paragrafit 1 të nenit 10 (Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 132 [Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit] dhe paragrafin 3 të nenit 134 [Kualifikimi, Zgjedhja dhe Shkarkimi i Avokatit të Popullit] të Kushtetutës; dhe (vii) të shpallë të pavlefshëm, me pesë (5) vota për dhe katër (4) vota kundër, në tërësinë e tij, Ligjin nr. 08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”thuhet në njoftimin për media.

Gjitahshtu u theksua se “Aktgjykimi fillimisht sqaron që, Ligji i kontestuar themelon Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme (Byroja Shtetërore), duke e përfshirë në rendin juridik të Republikës së Kosovës edhe konceptin e konfiskimit civil të pasurisë së pajustifikueshme, përkatësisht dhe në esencë, konfiskimin e pasurisë pa nevojën e vërtetimit në procedurë penale që pasuria përkatëse është fituar përmes kryerjes së veprës penale. Për këtë qëllim, Ligji i kontestuar, përcakton procedurën për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme nga personat zyrtarë dhe palët e treta, përkatësisht çdo person fizik apo juridik tek të cilët pasuria e personit zyrtar është bartur apo që ka ose mund të ketë pasur interes juridik mbi pasurinë e palëve në procedurë”.

Këtë Projektligj, Kuvendi i Kosovës e miratoi në lexim të dytë më 9 shkurt të vitit 2023. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte falënderuar deputetët që përkrahen me votë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. /Lajmi.net/