Gjykata lëshon urdhër-arrest për 6 serbët që nuk iu bindën drejtësisë, akuzohen për huliganizëm dhe armëmbajtje
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka lëshuar letërreshtim qendror kundër gjashtë serbëve të dyshuar për vepra penale që lidhen me pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale, huliganizëm, dhe në disa raste, mbajtje të paautorizuar të armëve. Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, kurse reporteri e ka siguruar…

Lajme
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka lëshuar letërreshtim qendror kundër gjashtë serbëve të dyshuar për vepra penale që lidhen me pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale, huliganizëm, dhe në disa raste, mbajtje të paautorizuar të armëve.
Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, kurse reporteri e ka siguruar këtë letërreshtim.
Të dyshuarit për të cilët është lëshuar urdhri janë: Boris Kragoviq, Dragisha Iliq, i njohur si “Gica”, Filip Djokoviq, Lazar Radenkoviq (“Proja”), Lluka Maslakoviq (“Lukica”), Vladimir Radivojeviq (“Mami”).
Sipas gjykatës, të dyshuarit janë thirrur disa herë nga Prokuroria Speciale gjatë muajve shkurt, mars dhe prill të vitit 2025, për t’u paraqitur dhe për të dhënë mbrojtjen e tyre. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk është paraqitur, duke injoruar thirrjet zyrtare. Gjykata ka autorizuar Policinë e Kosovës që, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, të ekzekutojë letërreshtimin dhe të kryejë arrestimin e të dyshuarve në çdo kohë, duke i sjellë ata para Prokurorisë Speciale në Prishtinë.
Për më tepër, organet e drejtësisë kanë vërejtur se të dyshuarit nuk janë të pranishëm në adresat e tyre të banimit në Kosovë, dhe për pasojë janë të pa arritshëm për autoritetet. Kjo ka çuar në aktivizimin e procedurës për letërreshtim vendor dhe ndërkombëtar.
Në bazë të Kodit të Procedurës Penale, konkretisht nenit 535 paragrafët 1 dhe 2, janë përmbushur kushtet ligjore për lëshimin e këtij letërreshtimi. Dokumenti urdhëron Policinë e Kosovës që, me autorizim të Prokurorisë Speciale, të arrestojë të dyshuarit në çdo kohë dhe t’i paraqesë në Prokurorinë Speciale në Prishtinë.