Gjykata Kushtetuese në Shqipëri: Mbyllja e TikTok cenoi lirinë e shprehjes

Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot në datën 11.03.2026, mori në shqyrtim çështjen me kërkuese shoqata “Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë” dhe qendra “Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative, Shqipëri – Balkan Investigative Reporting Network, Albania”, me objekt shfuqizimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 151, datë 06.03.2025 “Për marrjen e masave të përkohshme për shmangien…

Lajme

11/03/2026 15:20

Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot në datën 11.03.2026, mori në shqyrtim çështjen me kërkuese shoqata “Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë” dhe qendra “Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative, Shqipëri – Balkan Investigative Reporting Network, Albania”, me objekt shfuqizimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 151, datë 06.03.2025 “Për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës on-line ‘TikTok'”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata Kushtetuese, pasi mori në shqyrtim në seancën plenare të datës 05.02.2026 kërkesën e subjektit të interesuar, Këshillit të Ministrave, për pushimin e gjykimit të çështjes, vendosi rrëzimin e saj me argumentin se çështja paraqet interes publik dhe se pavarësisht shfuqizimit të mëvonshëm të VKM-së objekt shqyrtimi, vijimi i gjykimit mbetet i nevojshëm jo vetëm për mbrojtjen efektive të subjekteve të prekura, por edhe për orientimin e veprimtarisë së ardhshme normative dhe administrative të organeve publike.

Për sa i përket juridiksionit të saj, për sa kohë pretendimet e kërkuesve janë me natyrë kushtetuese dhe VKM-ja nr. 151/2025 ka karakter normativ, pasi nuk i drejtohet një kategorie të përcaktuar nominalisht, vendos një rregull të përgjithshëm normativ për kohëzgjatjen e saj dhe prodhon efekte që nuk shterojnë me të, Gjykata vlerësoi se ajo i nënshtrohet juridiksionit kushtetues.

Lidhur me kriterin e legjitimimit të kërkuesve, Gjykata vlerësoi se ato legjitimohen për pretendimet që, sipas përmbajtjes së tyre, lidhen me ushtrimin e të drejtave dhe lirive të gazetarëve dhe punonjësve të medias që ato synojnë të mbrojnë. Po kështu, kërkuesit legjitimohen edhe ratione temporis në kuptim të nenit 50, pika 1, të Ligjit Organik të Gjykatës, pasi kërkesa është paraqitur brenda afatit dyvjeçar.

Në lidhje me pretendimin për cenimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike, Gjykata vlerësoi se kërkueset nuk kanë arritur të argumentojnë në nivel kushtetues një lidhje të drejtpërdrejtë dhe konkrete ndërmjet aktit të kundërshtuar dhe cenimit të lirisë së veprimtarisë ekonomike në raport me vetë ato ose me interesat që ato përfaqësojnë sipas qëllimit për të cilin janë krijuar.

Për sa i përket pretendimit për cenimin e lirisë së shprehjes, lirisë së shtypit dhe të drejtës për informim, Gjykata vlerësoi se kërkueset legjitimohen ratione materiae për pretendimet që lidhen me kufizimin e lirisë së shprehjes dhe të lirisë së shtypit, për aq sa VKM-ja e kundërshtuar pretendohet se ka ndikuar në ushtrimin e veprimtarisë së tyre në këto drejtime. Ndërsa për të drejtën për informim, për sa kohë argumentet e kërkuesve lidhen me pengimin e shpërndarjes së informacionit nëpërmjet platformës TikTok, me kufizimin e komunikimit publik dhe me ndikimin e kësaj mase në ushtrimin e lirisë së shprehjes dhe të lirisë së shtypit, këto elemente do të vlerësohen në kuadër të pretendimeve kryesore që burojnë nga neni 22 i Kushtetutës.

Për themelin e pretendimeve, Gjykata arriti në përfundimin se ndërprerja e aksesit në platformën TikTok përbën kufizim të lirisë së shprehjes dhe të shtypit dhe për këtë shkak ajo vlerësoi të analizojë këtë kufizim në këndvështrim të kritereve të nenit 17 të Kushtetutës, pra nëse ai është bërë me ligj, për interes publik dhe nëse është respektuar kriteri i përpjesëtimit midis ndërhyrjes dhe gjendjes që e ka diktuar atë.

Në lidhje me kriterin e parë të kufizimit, “vetëm me ligj”, Gjykata vlerësoi se, megjithëse ligjet mbi bazën e të cilave ka dalë VKM-ja nr. 151/2025 parashikojnë kompetenca të caktuara rregullatore dhe mbrojtëse në fushën e komunikimeve elektronike dhe të të drejtave të fëmijëve, ato nuk i japin Këshillit të Ministrave një autorizim të qartë, të posaçëm dhe të parashikueshëm për vendosjen e një mase me karakter të përgjithshëm, siç është ndërprerja e plotë e aksesit në një platformë on-line për të gjithë përdoruesit në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në këto kushte, VKM-ja nr. 151/2025 nuk mund të konsiderohet thjesht si akt që detajon teknikisht një kufizim të parashikuar më parë nga ligji, por si akt që ka materializuar vetë kufizimin në thelbin e tij. Për rrjedhoje, kriteri i kufizimit “vetëm me ligj” nuk është përmbushur.

Për sa i përket kriterit të dytë, të kufizimit për interes publik ose arsye të rëndësishme publike, Gjykata e vlerësoi të përmbushur, pasi ai konsiston në mbrojtjen e të drejtave dhe interesit më të mirë të fëmijës dhe të të rinjve dhe qëllimi i VKM-së nr. 151/2025 ka qenë marrja e masave për shmangien e ndikimeve negative të platformës on-line TikTok në nxitjen e dhunës veçanërisht te fëmijët, në shkaktimin e problemeve të zhvillimit psiko-social të tyre, si dhe në shkaktimin e problematikave sociale në tërësi.

Në lidhje me kriterin e tretë, proporcionalitetin e ndërhyrjes, Gjykata vlerësoi të analizonte tre nënkriteret e tij si vijon:

• Për sa i përket nënkriterit të parë, nëse objektivi i ligjvënësit është mjaftueshmërisht i rëndësishëm për të justifikuar kufizimin, Gjykata vlerësoi se mbrojtja e të miturve përbën një interes publik me peshë të veçantë dhe objektivi ishte mjaftueshmërisht i rëndësishëm për të justifikuar, në parim, vendosjen e një kufizimi.

• Lidhur me nënkriterin e dytë, nëse masat e marra janë të lidhura në mënyrë të arsyeshme me objektivin, Gjykata vlerësoi se mungesa e mundësisë teknike për të ndërhyrë në platformë nuk mjafton për të justifikuar bllokimin e përgjithshëm, për sa kohë nuk është provuar se ky ishte mjeti i vetëm efektiv dhe më pak kufizues.

• Në lidhje me nënkriterin e tretë, nëse mjetet nuk janë më të ashpra se sa duhet, Gjykata vlerësoi se ekzistenca e mjeteve të tjera të komunikimit për gazetarët nuk e bën proporcionale masën, pasi platforma e bllokuar kishte karakteristika të veçanta. Gjithashtu, fakti që masa ishte e përkohshme nuk mjafton, kur ajo mori formën e një ndalimi të përgjithshëm.

Në përfundim, Gjykata vlerësoi se ndërhyrja nuk përmbush kriterin e proporcionalitetit të parashikuar nga neni 17 i Kushtetutës dhe pretendimet e kërkuesve në drejtim të lirisë së shprehjes dhe të lirisë së shtypit janë të bazuara, ndaj kërkesa në këtë pjesë pranohet.

Gjykata vlerësoi gjithashtu se, në kushtet kur VKM-ja nr. 151/2025 nuk është më pjesë e rendit juridik, për shkak të shfuqizimit të saj me VKM-në nr. 62/2026, kërkimi i kërkuesve për shfuqizimin e saj ka mbetur pa objekt. Megjithatë, duke vlerësuar interesin publik, ajo çmoi të nevojshme të shprehet vetëm për konstatimin e cenimit të lirisë së shprehjes dhe të lirisë së shtypit si rezultat i zbatimit të VKM-së nr. 151/2025.

Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi, me shumicë votash:

1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.

2. Konstatimin e cenimit të lirisë së shprehjes dhe të lirisë së shtypit si rezultat i zbatimit të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 151, datë 06.03.2025 “Për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës on-line ‘TikTok'”.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.