Gjykata e dënon me tri vite burg ish-drejtorin e VV-së në Prizren për keqpërdorim të pozitës

Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar me tri vite burg dhe dy mijë euro gjobë ish-drejtorin e Inspektoriatit të Komunës së Prizrenit, Islam Thaqi, nën qeverisjen e Mytaher Haskukajt, i akuzuar për veprën penale ‘keqpërdorim të pozitës’.

Lajme

17/05/2022 11:56

Një gjë e tillë është njoftuar me anë të një komunikate nga gjykata. Sipas aktakuzës, “I akuzuari I.Th., në cilësinë e Drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, duke ditur se nuk kanë të drejtë të bën rrënimin e objektit pasi i dëmtuari ka aplikuar për legalizim në përputhje me vendimin e MMPH të datës 27.08.2018, jep pëlqimin, organizon dhe merr pjesë aktive në rrënimin e objektit “Abi” Sh.P.K., në Prizren”.

E dënuar me të njëjtën masë nga gjykata, sipas komunikatës, është edhe J.V, inspektore e ndërtimit, për të njëjtën akuzë.

“E akuzuara J.V., në cilësinë e inspektores së ndërtimit duke ditur se nuk kanë të drejtë të bëjnë rrënimin e objektit të të dëmtuarit, meqë është në kundërshtim me vendimit e MMPH të datës 27.08.2018, përveç inspektimeve që kanë kryer në objektet, e akuzuara J.V., merr konkluzion mbi rrënimin e objektit “Abi Çarshia” pronë e “Abi” Sh.P.K., me nr. ……. me datë 15.07.2019”, bëhet e ditur më tej në aktakuzë.

I dëmtuari është udhëzuar në kontest të rregullt civil, pasi që trupi gjykues ekspertizës i ka falur besimin pjesërisht, vetëm sa i përket konstatimit të dëmit, por jo në lartësinë e tij në shumën prej 69,729.66 euro. /Lajmi.net/