Gjykata e Birmingham dënon shtatë shqiptarë me 40 vjet burgim për kultivim dhe shitje të drogës

Shtatë shqiptarë janë dënuar me burgim me një total prej gati 40 vitesh në Britani të Madhe, pasi u dënuan për përfshirjen e tyre në një rrjet të madh furnizimi me drogë me seli në West Midlands. Në maj 2022, oficerë nga Policia e West Midlands dhe Njësia Rajonale e Krimit të Organizuar të West…

Bota

25/09/2025 22:22

Shtatë shqiptarë janë dënuar me burgim me një total prej gati 40 vitesh në Britani të Madhe, pasi u dënuan për përfshirjen e tyre në një rrjet të madh furnizimi me drogë me seli në West Midlands.

Në maj 2022, oficerë nga Policia e West Midlands dhe Njësia Rajonale e Krimit të Organizuar të West Midlands (WM ROCU) filluan një hetim mbi shitjen dhe prodhimin e kanabisit në shkallë të gjerë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas njoftimit të policisë britanike, shtatë burrat, të arrestuar dhe të akuzuar si pjesë e hetimit, të gjithë pranuan fajësinë për komplot për furnizim dhe prodhim kanabisi.

Të mërkurën e kaluar (17 shtator), nga Gjykata e Birmingham u dënuan:

Erikson Kararaj, 34 vjeç, nga Perry Wood Road, Birmingham, u burgos me tetë vjet;
Arben Sinjari, 48 vjeç, nga Esher Road, Birmingham, burgoset me shtatë vjet;
Islam Toro, 31 vjeç, nga Railway Street, Tipton, u burgos me pesë vjet e tetë muaj;
Klajdi Zyka, 28 vjeç, nga Station Street, Darlaston, u burgos me pesë vjet;
Qemal Sakaj, 29 vjeç, nga Borrrowdale Road, Birmingham, u burgos me katër vjet e gjashtë muaj;
Avdulla Delbashi, 31 vjeç, nga Fountain Road, Birmingham, u burgos me katër vjet e katër muaj;
Soni Gremshi, 37 vjeç, nga Greenholm Road, Birmingham, u burgos me tre vjet e katër muaj.

Sipas policisë britanike nga hetimi u zbulua se Sinjari dhe Kararaj drejtonin grupin, i cili prodhonte kanabis në një numër pronash në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar – duke harxhuar në mënyrë të paligjshme energjinë elektrike.

Burrat e tjerë ishin të përfshirë në mirëmbajtjen e kultivimeve dhe më pas do të përfshiheshin në shitjen dhe shpërndarjen e disa kilogramëve  në të njëjtën kohë në të gjithë vendin.

Mesazhet telefonike dhe regjistrat e shkruar me dorë, të gjetura nga oficerët nga adresa e Sinjarit, treguan se grupi ishte në fund të fundit përgjegjës për prodhimin dhe shitjen e qindra kilogramëve kanabis.