Gjuriq: Shqiptarët kanë mbyllur rrugët e furnizimit me ushqime të serbëve në veri

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq është shprehur i shqetësuar, siç tha ai, "për shkak të presioneve të Prishtinës ndaj serbëve në veri të Kosovës".

Lajme

25/06/2019 12:32

Gjuriq ka theksuar se “shqiptarët gjatë ditëve të fundit kanë mbyllur kanalet e furnizimit me artikuj themelorë jetësorë nga Serbia qendrore”.

Ai po ashtu ka thënë se do të gjejnë zgjidhje për të dërguar gjithë çfarë duhet për serbët në veri të Kosovës.

“Prishtina këtë veprim të vetin e mbështet në Marrëveshjen e nënshkruar më 23 shkurt të vitit 2012, nga Borko Stefanoviqi, sipas të cilës është vendosur policia kufitare në pikëkalimet (kufitare) në Jarinje dhe Bërnjak. Kjo polici kufitare tani rrëmben kamionë e kombi me mallra, ndërsa në Mitrovicë ka mungesë mallrash. Ne do të gjejmë zgjidhje për të dërguar gjithë çfarë duhet për popullin tonë në Kosovë, serbët s’kanë pse të mërziten”, ka thënë Gjuriq për TvPink, transmeton lajmi.net.

“Serbia është duke realizuar 140 projekte për të ndihmuar serbët në Kosovë dhe se ka përfunduar njëri nga projektet strategjike – ujësjellësi rajonal për veriun e Kosovës, i cili do të lëshohet në punë më 28 qershor, për Vidovdan (që shënon Luftën e Kosovës të 1389 -v.j). Më 12 korrik do të inaugurohet edhe objekti i ri i banjës në Banjskë, i cili përveç hapësirave shëruese, do të ketë edhe basene të hapëta e të mbyllura”, ka thënë tutje Gjuriq. /Lajmi.net/