​Gjuriq: BE nuk do t’i vendosë sanksione Serbisë pas vizitës së Vuçiq në Moskë

Shefi i diplomacisë serbe Marko Gjuriq tha sot se vizita e presidentit Aleksandar Vuçiq më 9 maj në Moskë nuk do të sjellë ndërprerje të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian e as sanksione nga Brukseli zyrtar. Gjuriq tha për radiotelevizionin shtetëror të Serbisë se gjatë javës Beogradin do ta vizitojnë presidenti i Këshillit Evropian…

Lajme

10/05/2025 15:32

Shefi i diplomacisë serbe Marko Gjuriq tha sot se vizita e presidentit Aleksandar Vuçiq më 9 maj në Moskë nuk do të sjellë ndërprerje të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian e as sanksione nga Brukseli zyrtar.

Gjuriq tha për radiotelevizionin shtetëror të Serbisë se gjatë javës Beogradin do ta vizitojnë presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa dhe shefja e diplomacisë evropiane Kaja Kallas.

Ai shtoi se pret forcim të marrëdhënieve me Brukselin, të cilat, sipas tij, “nuk do të jenë në dëm të politikës së jashtme të balancuar të Serbisë”.

“Nuk do të ketë ndërprerje të integrimeve evropiane dhe as sanksione – kjo do të bëhet e qartë së shpejti, dhe ajo që mund të presim është vazhdimi i zhvillimit”, tha Gjuriq.

Vuçiq mori pjesë në shënimin e Ditës së Fitores në Luftën e Dytë Botërore, dhe u takua me presidentin rus Vladimir Putin, për herë të parë që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, raporton Radio Evropa e Lirë.

Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por përballet me kritika nga Brukseli për shkak të mosharmonizimit të politikës së saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian, e cila i ka vendosur sanksione të rrepta Rusisë pas fillimit të luftës në Ukrainë.

Marta Kos, komisionarja evropiane për zgjerim, deklaroi gjatë vizitës së saj javën e kaluar në Beograd se, për shkak të vizitës së Vuçiq në Moskë, do ta ketë “shumë më të vështirë të ndihmojë Serbinë të qëndrojë fuqishëm e orientuar drejt rrugës evropiane”, transmeton KosovaPress.

“Nëntë maji 1945 dhe 9 maji 2025 janë dy data me vlera të ndryshme. Të shkosh në Moskë dhe të festosh me Putin, ose ushtrinë e tij që po vret njerëz në Ukrainë, është në kundërshtim të plotë me vlerat evropiane”, tha Kos ditë më parë.

Pas takimit me Putin, gjatë të cilit ai u shpreh për rritjen e shkëmbimit tregtar ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, Vuçiq tha se është i gatshëm t’u përgjigjet kritikave që mund të vijnë nga Bashkimi Evropian.