Gjuha seksiste në aktgjykimin e Gjykatës së Gjilanit, Kurti: Është e papranueshme

Gjykata e Gjilanit ka liruar nga akuza pesë të akuzuar nën dyshimin për “Dhunim”.

Lajme

05/12/2021 14:50

Por, aktgjykimi i Gjykatës ka nxitur mjaft shumë reagime shkaku i gjuhës seksiste së përdorur në të.

“Në pjesën përmbajtjesore Gjykata mbrojtjes së të akuzuarve jau ka falur besimin e plotë, sepse nuk është vërtetuar me asnjë provë të besueshme dhe të plotë se të akuzuarit kanë përdorur dhunë apo kërcënim serioz ndaj të dëmtuarës në fjalë, me rastin e kryerjes së aktit seksual, sepse e dëmtuara si femër e moshës 19 vjeçe në kohën kur ka ndodhur ngjarja lëndore me dëshirën e saj ka pranuar fillimisht që ditën kritike të udhëtoj me taksi me të akuzuarin e parë për në Gjilan, edhe pse e ka ditur se ai është i gjinisë mashkullore… Duke pasur parasysh këtë sjellje të të dëmtuarës që me lehtësi ka pranuar të udhëtoj me taksi me të akuzuarin e parë për në Gjilan, jep me kuptu logjikisht se e njëjta vërtetë ka pasur konflikt me familjen e saj për shkak të bredhjes së saj dhe shoqërimit me meshkuj… Të jesh në një hapësirë banimi me persona të ri, vetvetiu nënkupton se kjo e dëmtuar ka qenë e pajtimit që me ta edhe të lëshohet në aventura seksuale, duke përfshirë edhe të akuzuarin e parë i cili ka qenë me moshë më i shtyrë se e dëmtuara… Vërtetë e dëmtuara me shprehi vërtetë jo të mira sidomos në aspektin moral, ka shfrytëzuar rastin që të kalojë një kohë duke shuar edhe epshin seksual me të akuzuarit në fjalë”, thuhej në aktgjykim, transmeton lajmi.net.

Në pjesën tjetër të aktgjykimit, Gjykata në një formë i vë faj vajzës për të cilën thotë se në një formë ka kryer marrëdhënie seksuale me dëshirë.

Për rastin në fjalë ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili ka thënë se nga ajo çfarë ka parë, gjuha e përdorur në këtë aktgjykim është e papranueshme.

“Rasti i Gjilanit, është edhe një dëshmi më shumë se sa e thellë duhet të jetë reforma në sistemin tonë të drejtësisë. Gratë e vajzat vazhdojnë të jenë viktima të normave diskriminuese, e ato kanë gjetur vend edhe në vendin ku ato më së paku do të duhej të diskriminoheshin. Gjuha në një aktgjykim të tillë është e papranueshme. Me atë çfarë kemi lexuar, shohim se kemi të bëjmë me një gjuhë që vjen nga një mendësi e papranueshme”, ka thënë Kurti në një konferencë për media gjatë ditës së sotme.

Ai ka thënë se sot do të realizojë edhe një vizitë në Policinë e Kosovës, ku do të vizitojë nga afër edhe departamentin që merret me rastet e tilla. /Lajmi.net/