Gjoshi i PDK-së për propagandën e Muratit: Edhe filloristët e dinë që s’ka zhvillim kur blen më pak me të njëjtat para

Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të zyrtarëve të Qeverisë për gjendjen ekonomike në vend, duke i quajtur ato propagandë të pastër dhe të shkëputura nga realiteti i qytetarëve. Në një postim publik, Gjoshi ka kritikuar drejtpërdrejt zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi, dhe ministrin aktual…

Lajme

02/08/2025 19:56

Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të zyrtarëve të Qeverisë për gjendjen ekonomike në vend, duke i quajtur ato propagandë të pastër dhe të shkëputura nga realiteti i qytetarëve.

Në një postim publik, Gjoshi ka kritikuar drejtpërdrejt zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi, dhe ministrin aktual të Financave, Hekuran Murati, të cilët, sipas tij, “çdo ditë propagandojnë të pavërteta për gjendjen ekonomike të vendit”, transmeton lajmi.net

Ai rikujtoi një deklaratë të Bislimit gjatë kohës së pandemisë, kur kishte pretenduar se në Kosovë ishte rritur punësimi, megjithëse, sipas Gjoshit, aktiviteti ekonomik në atë periudhë ishte pothuajse i paralizuar.

“Në kohën kur bizneset ishin të mbyllura dhe lëvizja e qytetarëve ishte e kufizuar, Qeveria e propagandës pretendonte se papunësia kishte rënë. Kjo është absurde, ka shkruar Gjoshi.

Ai kritikoi edhe ministrin Hekuran Murati, duke thënë se përpiqet të maskojë rritjen e kostos së jetesës me deklarata për “zhvillim ekonomik”.

“Edhe pse sot me 100 euro mund të paguash vetëm 50 kafe, e jo 100 si dikur, Murati përpiqet ta shesë këtë si përparim. Kjo është fyerje për qytetarët e zakonshëm që çdo ditë përballen me çmime më të larta dhe mundësi më të vogla për mbijetesë,” thekson Gjoshi.

Sipas tij, realiteti është i qartë: “Kur me të njëjtat para mund të blesh më pak, kjo nuk është zhvillim ekonomik – është mashtrim.”

Gjoshi përmbylli reagimin duke e cilësuar këtë qeveri si një regjim të “uzurpatorëve të paaftë dhe të shkëputur nga realiteti i qytetarëve të vendit”./lajmi.net/