Gjini pas dështimit të seancës: Ju kemi treguar fiks cili është skenari, ky skenar po realizohet – ky është mashtrimi më i madh që ka ndodhur në historinë e Kosovës

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar ashpër pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit, duke e cilësuar situatën politike si një proces të qëllimshëm për zvarritjen e institucioneve. Në një konferencë për media, Gjini tha se zhvillimet e sotme dëshmuan, sipas tij, paralajmërimet që Aleanca i kishte bërë prej muajit korrik. Ai akuzoi…

Lajme

09/09/2026 14:53

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar ashpër pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit, duke e cilësuar situatën politike si një proces të qëllimshëm për zvarritjen e institucioneve.

Në një konferencë për media, Gjini tha se zhvillimet e sotme dëshmuan, sipas tij, paralajmërimet që Aleanca i kishte bërë prej muajit korrik. Ai akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e saj, Albin Kurti, se po e mbajnë procesin të bllokuar për interesa politike, transmeton lajmi.net.

“A ju kemi thënë, a ju kemi thënë që nuk kanë për ta konstituuar Kuvendin sot?”, tha Gjini në nisje të konferencës.

Ai e lidhi dështimin e seancës edhe me rolin e Listës Serbe, duke pretenduar se kjo parti po i krijon mundësi Kurtit për ta shtyrë procesin sipas interesave të tij.

“Kush e di për të satën herë, me koordinim apo pa koordinim, Lista Serbe po ndihmon që Albin Kurti ta zhvillojë agjendën e vet qysh i konvenon. Është një maskaradë për ta zvarritur procesin ashtu siç u përshtatet atyre”, deklaroi ai.

Sipas Gjinit, vendimi i Aleancës për të mos marrë pjesë në këtë proces është dëshmuar si i drejtë, ndërsa ai u ka bërë thirrje edhe PDK-së dhe LDK-së që të mos bëhen pjesë e asaj që ai e quan “maskaradë”.

“Sot të gjithë e kuptojnë drejt pse Aleanca nuk ka pranuar të bëhet pjesë e kësaj maskarade. I ftoj, qysh i kam ftuar edhe më herët, edhe dy partitë e tjera në opozitë që mos të bëhen pjesë e kësaj maskarade”, tha Gjini.

Kryetari i Aleancës pretendoi se qëllimi për ta zvarritur procesin ishte i dukshëm që nga vera, kur partia fituese e zgjedhjeve, sipas tij, nuk e kishte pranuar ofertën e Aleancës për bashkëpunim.

“Prej korrikut ju kam treguar që kjo ka për të ndodhur. Partia që ka dalë e para nga zgjedhjet ka refuzuar të merret me ofertën tonë. Vetë fakti që kanë refuzuar, ka treguar që ky ka qenë qëllimi”, u shpreh ai.

Gjini më pas foli për një skenar të mundshëm kohor që, sipas tij, mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja në fund të vitit.

“Duhet të mbërrihet së paku data 30 shtator, në mënyrë që kur të kalkulohet edhe 60-ditëshi, edhe 45 ditë deri në shkuarjen në zgjedhje, partia që i ka fituar zgjedhjet e kaluara ta mbërrijë datën 27 dhjetor. Pse datën 27 dhjetor? Sepse këta njerëz që e kanë uzurpuar pushtetin në Kosovë, e kanë humbur besimin e qytetarëve që jetojnë këtu. Jeta është bërë më e rëndë”, deklaroi Gjini.

Ai e ashpërsoi edhe më tej retorikën ndaj Kurtit, duke e akuzuar se synon kontrollin e plotë të pushtetit dhe jo vetëm qeverisjen e vendit.

“Mos ia bëni këtë dëm Kosovës, që dy vite po zvarritemi në procese për shkak se një njeri po dëshiron ta sundojë Kosovën me gjithçka. Ky nuk dëshiron të qeverisë, ky dëshiron të sundojë. Ky ka qenë skenar që nga fillimi. Ju kemi thënë, you kemi treguar fiks cili është skenari dhe ky skenar po realizohet në vitin 2025. Para dy viteve këtë mundësi ia ka dhënë Vjosa Osmani, kurse sot po ia jep Lista Serbe, fiks të njëjtën gjë”.

Në fund, Gjini e cilësoi situatën si shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe u bëri thirrje partive politike që të mos mbështesin atë që ai e konsideron një proces të manipuluar.

“Unë personalisht dhe njerëzit racionalë nuk besojmë në 100 koinçidenca që çojnë në një drejtim. Nëse ka, atëherë është zgjedhje. Ju bëjmë thirrje partive politike mos të bëhen pjesë e kësaj maskarade. Kosova është në shkelje brutale të Kushtetutës. Ky është mashtrimi më i madh që ka ndodhur në historinë e Kosovës. Qytetarët e kanë parë bardh e zi se me kë kemi punë. Këta njerëz janë të lexueshëm”, përfundoi Gjini./lajmi.net/