Gjini njofton se është pezulluar drejtori i shkollës që i dërgoi video intime të miturës: Ai nuk ka asnjë lidhje apo angazhim me AAK-në

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini ka reaguar në lidhje me rastin e fundit që ka ndodhur në fshatin Demjan të kësaj komune, ku drejtori i shkollës në këtë fshat i ka dërguar fotografi dhe video intime një të miturës. Ai ka thënë se siguria, dinjiteti dhe mbrojtja e fëmijëve janë vija të kuqe…

Lajme

20/05/2026 12:45

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini ka reaguar në lidhje me rastin e fundit që ka ndodhur në fshatin Demjan të kësaj komune, ku drejtori i shkollës në këtë fshat i ka dërguar fotografi dhe video intime një të miturës.

Ai ka thënë se siguria, dinjiteti dhe mbrojtja e fëmijëve janë vija të kuqe të pakontestueshme për institucionet tona, mbi të cilat nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë asnjë kompromis.

“Në emër të Komunës së Gjakovës dhe në emrin tim personal, distancohem plotësisht dhe pa asnjë rezervë nga ky individ dhe çdo veprim i tij i turpshëm, i cili bie ndesh me moralin njerëzor dhe misionin e shenjtë të arsimit. Personi në fjalë është pezulluar menjëherë nga pozita e drejtorit të shkollës sipas procedurave ligjore në fuqi, ndërsa komuna ka ofruar dhe do të vazhdojë të ofrojë bashkëpunim të plotë e të pakushtëzuar për organet e rendit dhe prokurorinë me qëllim që ky rast të marrë dënimin maksimal ligjor”, ka thënë Gjini.

Ai ka thënë se drejtori në fjalë nuk ka qenë pjesë e strukturave të AAK-së që nga vitit 2021.

“Megjithatë, si kandidat për Kryeministër dhe nënkryetar i Aleancës, kam kërkuar menjëherë konfirmimin zyrtar nga kryetari i Degës në Gjakovë, Flamur Fetahaj, për të siguruar se ky individ nuk ka asnjë lloj lidhjeje apo angazhimi me ne. Ky le të jetë një mesazh i prerë për secilin që tenton të keqpërdorë emrin dhe logon e Komunës apo të Aleancës për veprime të tilla të turpshme. Dua të siguroj të gjithë qytetarët, prindërit dhe nxënësit se sistemi arsimor në Gjakovë do të mbetet një mjedis i sigurt për fëmijët tanë, dhe kushdo që tenton ta cenojë këtë siguri do të përballet me forcën më të rreptë të ligjit dhe me largim të menjëhershëm nga institucionet tona”, ka thënë Gjini.

Ai ka falenderuar mediat dhe institucionet e sigurisë për punën e bashkëpunimin. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: