Gjini: Kryeministër mbylli kazinotë e mos u çjerr duke qarë

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministri Isa Mustafa për pronësinë e kazinove.

Lajme

01/03/2015 18:38

Gjini ka kërkuar nga Kryeministri Mustafa që t’i mbyllë kazinotë dhe të mos “çjerr duke qarë”.

Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë të Ardian Gjinit:

Me qenë kryeministër e akademik dhe në të njëjtën kohë plak grindavec, nuk po i ka hije fare.

Nënave që i kërkojnë trupat e djemve të tyre iu tha: edhe mua mu ka pas zhdukur gjyshi; ambasadorëve te BE iu tha mos na shikoni vetëm neve sepse edhe vendet tjera kanë probleme me migrimin. Për Jabllanoviqin tha: nuk ka thënë asgjë te tmerrshme; për fëmijët që po vuajnë e edhe po vdesin neper kampe të azilit po i fajëson prindërit e tyre; si kundërpërgjigje për varfërinë po thotë mos bëni shumë fëmijë; tani po thotë se dikush i paska fajet për kazinot!

KRYEMINISTËR JE O NJERI, MBYLLI KAZINOT E MOS U ÇJERR DUKE QARË. ALEANCA PO TË THËRRET QË T’I MBYLLËSH ( nëse guxon prej partnerëve tuaj e prej njerëzve tuaj që i mbështesin e i frekuentojnë ato).

Kryeministri po relativizon gjithçka, dhe po e hedh fajin diku tjetër gjithmonë. Po bëhet grindavec sa herë që dikush po ia lëshon një fjalë. Mënyra se si po sillet kryeministri tregon se kultura e diktaturës është ngulitur në kokën e tij. “Si guxon dikush me u nguc me shefin” po pyet vet me veti. Paramendojeni se si do të sillej sikur të kishte pushtet më shumë!? Shikojini videot e protestave, shumëzoni me dhjetë dhe e shihni.

Sa për lexim, dëgjojeni se si i turr fjalitë nëpër konferenca, si i ngatërron kohët gjinitë e rasat dhe konkludoni vet se sa ka lexuar. Ky ose nuk ka lexuar fare ose leximi nuk ja ka lënë as një shenjë.

Kryeministër, program qeverisës nuk ke fare. Ke listë të dëshirave. As ide se çka duhet bërë po duket nuk ke.

Nuk po të ka hije me qenë grindavec, puno sa të mundesh e më vonë e shohim. E ke pushtetin dhe të gjitha mundësitë që të veprosh. Mos u bë grindavec e ngatërrestar i paaftë. Puno!