Gjilani shembull i solidaritetit fetar: Bashkësitë fetare pastrojnë varrezat së bashku

Në kuadër të “Muajit të Tolerancës dhe Solidaritetit” në Gjilan, me iniciativën e komunës së Gjilanit janë pastruar varrezat myslimane dhe katolike.

Lajme

01/11/2015 17:50

Me iniciativë të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, sot në Gjilan ka nisur pastrimi i varrezave të qytetit, përfshirë ato myslimane dhe katolike, duke mbjellë qindra fidane, në të cilin aktivitet kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Bashkësisë Islame, Kishës Katolike dhe asaj Ortodokse, sikurse edhe nxënësit e gjimnazit.

Sipas njoftimit të komunës, Haziri ka thënë me këtë rast se aksioni i sotëm për pastrimin e varrezave myslimane dhe ortodokse si dhe mbjellja e fidaneve shënon përmbylljen e “Muajit të Tolerancës dhe Solidaritetit”.

Pasi ka falënderuar të gjitha bashkësitë fetare që kanë marrë pjesë në të gjitha aktivitetet në muajin tetor, Haziri theksoi se varrezat e qytetit tashmë do të konservohen pasi Komuna do të bëjë vend për varrezat e reja të qytetit si për komunitetin mysliman, ashtu edhe për atë katolik dhe protestant.

Nga ana e tyre, tre përfaqësuesit e bashkësive fetare në Gjilan, Naim Aliu nga Bashkësia Islame, Don Albert Jakaj nga Kisha Katolike dhe Dragan Kojiq nga Kisha Ortodokse, kanë falënderuar kryetarin Haziri për iniciativën e sotme për pastrimin e varrezave të qytetit, duke shfaqur zotimin se do t’i përgjigjen të gjitha thirrjeve të Komunës së Gjilanit sa herë që është e nevojshme në shërbim të besimtarëve, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, “Muaji i Tolerancës dhe Solidaritetit” në Gjilan ka nisur me pastrimin e xhamisë dhe kishës në Dunav të Karadakut, ka vazhduar me turneun e futbollit, është mbajtur një ekspozitë në foajenë e teatrit të qytetit me punime të artit figurativ nga nxënësit e shkollave të ulëta të mesme, me tematikë “Toleranca ndërfetare dhe solidariteti”, si dhe janë mbajtur edhe dy debate për rolin e të rinjve dhe grave në aspektin e tolerancës fetare./lajmi.net