Gjilani promovon kartelën elektronike për pacientë, të parin në nivel të shteteve të regjionit

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë promovimin e kartelës elektronike për pacient, e cila e konfirmon Gjilanin tashmë jo të vetmen Komunë në Kosovë, por edhe në nivel regjional dhe është mundësi që pacienti të ketë historikun e tij të qartë për vizitat shëndetësore, terapitë e përdorura, lidhjen direkte me mjekun dhe detaje të shumta në dobi të pacientit dhe të mjekut njëkohësisht.

Lajme

20/10/2017 15:40

Kryetari, Lutfi Haziri, ka thënë sot para mjekëve, personelit të shëndetësisë primare dhe pacientëve, se po fillon implementimi i programit pilot E-shëndeti që ndihmon mjekun dhe pacientin për historinë e gjithsecilit.

“Sot jemi këtu para jushë që të fillojmë me programin e ri E-shëndeti, i cili është në fazën e pilotimit. Ky program është i kushtueshëm, mirëpo është forma e vendosjes së kontaktit të drejtpërdrejtë mes mjekut dhe pacientit apo familjeve gjilanase dhe institucionit shëndetësor. Përmes kartelës elektronike online, kemi mundësinë e ndërtimit të historikut të sëmundjes për çdo pacient, mundësinë që në çdo kohë pacienti ta gjej mjekun e vet dhe që në çdo kohë mjeku të kontrolloj historinë e pacientit, në mënyrë që të ndërhyhet më shpejtë dhe të ketë tretmanin e hershëm shëndetësor çdo qytetarë i Gjilanit”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai ka informuar që ky program, që sot nis me e-kartelën, është program i parë në nivel të Kosovës dhe shteteve të regjionit dhe po inaugurohet pikërisht në Gjilan pas një angazhimi dhe pune një vjeçare.

Gjithashtu Haziri ka konfirmuar që Komuna e Gjilanit do të bëjë trajnimin e stafit lidhur me përdorimin e kartelës edhe pse çdo fillim është më i vështir, mirëpo program është dizajnuar në atë formë që është i thjeshtë dhe i lehtë për përdorim nga të gjithë ata që kanë telefon të menqur dhe paisje tjera teknologjike.

“Secili pacient ka mundësinë kudo që ka qasje në internet, të shoh kartelën e tij, trajtimin shëndetësor, kohën kur ka vizituar mjekun, terapinë e përdorur dhe detaje të tjera rreth historisë së përgjithshme shëndetësore, që do ta bëjnë më të lehtë trajtimin shëndetësor gjatë të ardhmes”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

Kurse koordinatori i zyrës së Teknologjisë Informative në Komunën e Gjilanit, Gazmend Jakupi, ka dhënë detajet e hollësishme rreth programit, përdorimit dhe sigurisë që ka ky program.

Nga ana e tij Hasidin Bunjaku, i cili është duke zëvendësuar drejtorin e QKMF-së, Fejzulla Berisha, ka thënë se ky program është një lehtësim i madh për mjekun në trajtimin e çdo qrregullimi shëndetësor që mund të kenë pacientët të cilët përdorin kartelën shëndetësore dhe njëkohësisht jep mundësi për një komunikim të shpejtë dhe direkt të mjekut me pacientin.

Ndryshe, Komuna e Gjilanit, përpos këtij program deri më tani ka në implementim të plotë, aplikimin online për dokumente në administratë, shërbimet e gjendjes civile përmes E-kiosqeve, E-prokurimi, Tatimin në Pronë dhe programe të shumta të cilat në nivel të Kosovës dhe më gjerë, fillet i kanë në Gjilan.