Gjesti i Alvesit, fushatë e marketingut

Veprimi i Dani Alvesit në ndeshjen kundër Villarrealit, kur e hëngri bananen e hedhur në drejtim të tij, thuhet se është planifikuar tashmë një kohë të gjatë nga agjencia Ludocca, që merret me imazhin e tij.

Sport

30/04/2014 11:32

Veprimi i Dani Alvesit në ndeshjen kundër Villarrealit të dielën, kur mori një banane të hedhur në drejtim të tij, e qëroi dhe e hëngri, duket se ka qenë i planifikuar.

Sipas medieve braziliane, skenari është bërë nga agjencia Ludocca, që merret me imazhin e mbrojtësit të Barcelonës.

Konfirmimi erdhi nga Guga Ketzer, nënkryetar i agjencisë i cili ka deklaruar për ‘Lance’ se fushata ishte e planifikuar tashmë një kohë të gjatë mirëpo vetëm priste momentin e duhur të lansimit.

Deklaratat e tij janë kontradiktore me atë që ka thënë Alves pas përfundimit të ndeshjes kur kritikoi tifozin që e hodhi bananen në drejtim të tij derisa ai ishte duke u bërë gati të ekzekutonte një goditje nga këndi, dhe kërkoi që ai të turpërohej publikisht.

Për më tepër, një numër i madh yjesh, përfshirë sportistë në vendin tonë i janë bashkuar fushatës #SayNoToRacism, duke publikuar fotografi duke ngrënë banane.