Gjermanët dhe LDK-ja nuk i pranojnë kushtet e Vetëvendosjes

Diplomatët e huaj, sidomos ata gjermanë ia kanë bërë të qartë koalicionit LDK-AAK-NISMA, se në asnjë mënyrë nuk guxojnë të nënshtrohen para kërkesave të Vetëvendosjes. Aq ma pak, që t’i lejojë lëvizjes së Kurtit t’i prijë bisedimeve me Serbinë. 

Lajme

19/08/2014 23:07

Si raporton TV Rrokum, këtë ia ka bërë me dije një burim i besueshëm brenda koalicionit. E drejtimi i bisedimeve, është një nga kërkesat që ka VV-ja për t’iu bashkuar koalicionit të bllokut.

Sipas këtij burimi, bllokimi i formimit të Asociacionit të Komunave serbe dhe ndërprerja e privatizimit të ndërmarrjeve publike e shoqërore nuk duhet as të mendohet.

Krejt çka mund të bëjë te privatizimi është që të rishikohen rastet që dyshohen se ka pasur keqpërdorime.

I njëjti burim i ka thanë televizionit Rrokum se diplomatët gjermanë u kanë kërkuar drejtuesve të partive të koalicionit të bëjnë përpjekje që të bindin Vetëvendosjen, që të mendojnë ta bindin lëvizjen e Kurtit që të bëhet demokratike dhe e afërt me kërkesat e veta si tri partitë e koalicionit.

“Ndërkombëtarët, sidomos diplomatët gjermanë kanë kërkuar të mos i nënshtrohemi Vetëvendosjes, në kërkesat e tyre, as t’iu prijnë bisedimeve me Serbinë, e as anulimin e vendimit për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ndërsa, sa i përket privatizimit, na është bërë e qartë se nuk guxojmë as të mendojmë ta dnërprejmë atë, por mundemi vetëm të rishikojmë ndërmarrjet që dyshohen se ka pas keqpërdorime. Nëse vërtetohet që ka pas dallavere, atëherë përsëritet privatizimi”, ka thënë ky burim.

I njëjti burim ka treguar se kush ishte shkaktari që nuk u bë nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet bllokut dhe Vetëvendosjes. Sipas tij, nuk ka qenë Ramush Haradinaj, por Isa Mustafa ai që ka kundërshtuar t’ia lërë VV-së drejtimin e bisedimeve.

“I nominuari për kryeministër, Ramush Haradinaj nuk ka qenë ai që i ka hëngër fjalët e veta. E vërteta është që ai i ka thanë Vetëvendosjes me iu pri bisedimeve, por më vonë ka ardhur një reagim nga kryetari i LDK, Isa Mustafa, dhe është marrë vendimi që të mos pranohen kushtet e Vetëvendosjes, të cilat i kishte pranuar Haradinaj”, ka theksuar burimi.

Lidhur me kërkesën e PDK për qeveri gjithëpërfshirëse, ky burim ka thënë se nga ndërkombëtarët një kërkesë e tillë në asnjë takim nuk i ka ardhur bllokut opozitar.