Gjenden mbetje mortore në Pejë e Prizren, dyshohet t’u përkasin viktimave të luftës

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh), në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë për Krime Lufte (DHKL) dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), gjatë aktiviteteve të planifikuara sot ka zhvilluar gërmime vlerësuese në dy lokacione në terren, të iniciuara nga Sektori për Persona të Zhdukur i DHKL-së në bashkëpunim me familjarët e personave të zhdukur…

Lajme

24/11/2025 18:44

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh), në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë për Krime Lufte (DHKL) dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), gjatë aktiviteteve të planifikuara sot ka zhvilluar gërmime vlerësuese në dy lokacione në terren, të iniciuara nga Sektori për Persona të Zhdukur i DHKL-së në bashkëpunim me familjarët e personave të zhdukur dhe qytetarët.

Në këto dy lokacione, një në regjionin e Pejës dhe një në regjionin e Prizrenit janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore, që potencialisht mund t’u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë dhe personave që ende figurojnë në listën e të zhdukurve.

Proceset e verifikimit dhe ekzaminimit mjekoligjorë do të vazhdojnë në përputhje me procedurat ligjore dhe profesionale, me qëllim të përcaktimit të identitetit të mundshëm të viktimave dhe ndriçimit të fatit të tyre.

Pas konfirmimit dhe identifikimit përmes analizës së ADN-së, familjarët do të njoftohen zyrtarisht nga Komisioni, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.