Gjenden 15 kilogramë eksploziv në afërsi të Gazimestanit

Policia e Kosovës ka bllokuar magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, për shkak të dyshimit se në këtë segment rrugor është gjetur një mjet i dyshimtë - eksploziv.

Lajme

13/12/2018 17:47

Policia e Kosovës ka bllokuar magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, për shkak së në afërsi të fshatit Mazgit është raportuat për një mjet të dyshimtë.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, ka thënë për lajmi.net, se aktualisht rruga vazhdon të jetë e bllokuar dhe se policia ka filluar hetimet lidhur me rastin.

“Rreth orës 14:00, kemi pranuar informatën për një mjet të dyshimtë në rrugën magjistrale Prishtinë – Mitrovicë, përkatësisht në afërsi te fshatit Mazgit. Të gjitha njësitet policore të nevojshme për të menaxhuar me një situatë të tillë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe aktualisht janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme operative dhe ato të ekzaminimit. Aktualisht policia ka bllokuar segmentin rrugorë në fjalë përderisa të kryhen veprimet e nevojshme policore, ndërkaq po asiston pjesëmarrësit në trafik për rrugët alternative. Ndërkohë që po kryhen veprimet e sipercekura policia ka filluar një hetim preliminar lidhur me rrethanat që karakterizojnë rastin”, ka deklaruar Ahmeti.

Ndërkohë Imer Beka, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka thënë për kallxo.com se në vendin e ngjarjes janë gjetur 15 kilogramë eksploziv.

“Po është e vërtetë, rreth 15 kilogramë eksploziv janë gjetur në rrugën për Gazimestan. Eksplozivi ka qenë i rregulluar dhe ka qenë gati për të shpërthyer në kohën për të cilën është paraparë nga persona që e kanë rregulluar”, theksoi Beka. /Lajmi.net/