Gjeloshaj: Kam marrë garanci nga kryeministri Spajiq se do ta mbështesim Kosovën në çdo organizatë ndërkombëtare
Zëvendëskryeministri në Qeverinë e Malit të Zi, Nik Gjeloshaj tha se ka marrë garanci nga kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, se Mali i Zi do ta mbështesë Kosovën në çdo organizatë ndërkombëtare. Siç tha për Telegrafin, nëse do të kishte ndodhur e kundërta, ai dhe partitë shqiptare nuk do të ishin më pjesë…

Lajme
Zëvendëskryeministri në Qeverinë e Malit të Zi, Nik Gjeloshaj tha se ka marrë garanci nga kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, se Mali i Zi do ta mbështesë Kosovën në çdo organizatë ndërkombëtare.
Siç tha për Telegrafin, nëse do të kishte ndodhur e kundërta, ai dhe partitë shqiptare nuk do të ishin më pjesë e qeverisë.
Gjeloshaj tha se për të nuk është problematike që Andrija Mandiq të jetë kryetar i Kuvendit, por i mjafton që Mali i Zi ta njohë Kosovën.
“Jam këtu për të respektuar aktet zyrtare dhe më mjafton që Mali i Zi të vazhdojë bashkëpunimin me të gjitha vendet që ka njohur. Ne kemi pasur marrëveshje me Mandiqin që nëse ai e mbështet qeverinë tonë, ne do ta mbështesim atë si kryetar parlamenti”, tha Gjeloshaj.
Ai shtoi se Kosova gjithmonë do ta ketë zërin e Malit të Zi nëse i nevojitet.
I pyetur se çfarë do të ndodhte nëse kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, bën një vizitë zyrtare në Mal të Zi, Gjeloshaj tha se nëse kjo ndodh, ai beson se Mandiq duhet të takohet me të.