Gjatë kalimit nëpër Serbi, kosovari plaçkitet, rrahet dhe burgoset

Pasi i kishte kryer pushimet në Kosovë dhe kishte marrë rrugën për në Gjermani, Ilir Leci, 32 vjeçar nga Kamenica, zgjodhi rrugën për të kaluar nëpër Serbi, Kroaci dhe më tutje në Gjermani. Por kjo rrugë i kishte kushtuar atij me plaçkitje të 3,000 eurove, burg 24 orësh dhe grushte e shqelma deri në alivanosje.

Lajme

16/08/2014 22:21

Ilir Leci është ndaluar në pikën kufitare në Batrovci, pikë kjo kufitare që lidh Serbinë me Kroacinë dhe ai me vete kishte disa ilaçe që në Serbi konsiderohen ilegale. Testosteronet, janë ilaçet që Iliri i kishte marrë nga Kosova për në Gjermani, por që atij i sollën shumë probleme.

“Më kanë ndaluar dje rreth orës 4 në Batrovci. Më kanë burgosur menjëherë dhe nuk dija asgjë. Unë nuk di serbisht dhe nuk i kuptoja asgjë. Mi morën të gjitha ilaçet që i kisha dhe kërkonin që të më burgosnin me gjashtë muaj burg, ose t’i paguaj pesë mijë euro. Unë edhe më herët i kam marrë nga Kosova këto ilaçe dhe asnjëherë nuk më kanë bërë probleme në Serbi”, ka rrëfyer Leci për KosovaPress.

Por maltretimi nuk kishte mbaruar me kaq. Ilirit ju desh të përjetojë edhe grushte dhe shqelma nga dy policë që ky as nuk i ka kuptuar se çfarë thoshin.

“Të shtunën (sot) në mëngjes, më kanë marrë dhe njëri prej tyre më ka goditur me grusht dhe më ka alivanosur. Pas kësaj, të dy më kanë hipur me shqelma dhe më kanë rrahë sa kanë mundur. Kam qenë shumë keq, për shkak që nuk kuptoja asgjë”, ka thënë Leci.

Ilirit, në momentin e kapjes ia kishin marrë veturën dhe telefonin, dhe për këtë arsye nuk ka mundur ti paraqitet as familjarëve. Kjo i është lejuar vetëm rreth orës 10, ku ka lajmëruar një të afërm.

Pas 24 orë mbajtje në burgun e Sremska Mitrovicës, Ilir Leci është lëshuar për të vazhduar rrugën për në Gjermani, ndërsa deri në lirimin e tij familjarët nuk kanë ditur se ku të drejtohen.

Gjatë kësaj kohe për lirimin e tij ishte angazhuar dhëndri i tij, Blerimi. E në proces janë involvuar edhe Ministria e Diasporës, e cila është munduar të gjejë zgjidhje rreth lirimit të tij.(KosovaPress)