Gjatë fushatës nuk e përkrah asnjë parti!
Veprimtari i njohur i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, ka deklaruar se partitë politike po e teprojnë me premtimet e tyre në parafushatën që po e bëjnë për zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit.
Lajme
Ai ka thënë se lufta tyre për të ardhur me çdo kusht në pushtet, por edhe për të mbetur me çdo kusht në pushtet, nuk është e mirë.
Demaçi ka thënë se i vetmi ndëshkim i popullatës që merr pjesë në votime është që t’ia jep ose të mos ia jap votën asaj partie e cila sipas vlerësimeve të elektoratit nuk i ka mbajtur premtimet, dhe tjetër ndëshkim nuk ka.
Në një intervistë për KosovaPress, Demaçi ka thënë se nuk mund të jap prognoza se kush mund të fitojë, duke qenë se ai nuk është me asnjë parti politike, dhe se të gjitha partitë janë të tijat.
“Ju e dini se nuk i takoj asnjë partie. Të gjitha partitë janë të mijat, unë e shikoj cila prej këtyre partive po mundohet t’i shërbej popullit, t’i shërbej Kosovës, cila parti po mundohet që të paktën me këto deklarata, premtime që po dëgjojmë çdo ditë. Nuk është lehtë të verifikohen ato premtime a do të realizohen apo jo. Kështu që të gjithë po flasin mirë, të gjithë po premtojnë mirë, edhe tash presim”.
“Nuk është lehtë të parashihet asgjë. Ju e dini që unë i takoj krahut të luftës, por tash po luftojnë për pushtet dhe unë nuk duhet të përzihem në këto fushata, sepse po them edhe një herë të gjitha partitë janë të mijat, por unë nuk jam i asnjërës, sepse mbahem me popullin dhe nuk deklarohem për asnjë parti. Sepse kjo është luftë për pushtet, unë luftë për pushtet nuk po bëjë”, ka thënë Demaçi.