Gjashtë vite e gjashtë muaj burgim, ndaj personit që shkaktoi aksidentin ku humbën jetën tre persona në Çubrel të Skenderajt
Një aksident i rëndë trafiku, kishte ndodhur më 26 janar të 2025-tës në fshatin Çubrel të Skenderajt. Si pasojë e këtij aksidenti, tre persona kishin humbur jetën dhe pesë të tjerë janë lënduar, katër nga ta zyrtarë të Policisë së Kosovës. Sot, Gjykata Themelore në Mitrovicë – Dega në Skenderaj, ka shpallur aktgjykimin, në çështjen…
Lajme
Një aksident i rëndë trafiku, kishte ndodhur më 26 janar të 2025-tës në fshatin Çubrel të Skenderajt.
Si pasojë e këtij aksidenti, tre persona kishin humbur jetën dhe pesë të tjerë janë lënduar, katër nga ta zyrtarë të Policisë së Kosovës.
Sot, Gjykata Themelore në Mitrovicë – Dega në Skenderaj, ka shpallur aktgjykimin, në çështjen penale ndaj të pandehurit E.R, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, që është ngritur më 18 qershor 2025.
I pandehuri është shpallur fajtor për shkak të veprës penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370 paragrafi 9 lidhur me paragrafët 8 dhe 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), e cila parasheh minimumin e dënimit prej një (1) viti dhe maksimum të dënimit prej tetë (8) viteve.
Gjykata ndaj të pandehurit ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) vite e gjashtë (6) muajsh dhe dënimin plotësues “Ndalimi i drejtimit të automjetit”, ashtu që të pandehurit i është ndaluar drejtimi i automjeteve të kategorisë B për një periudhë prej dy (2) vitesh, afat i cili fillon të rrjedhë pas ekzekutimit të dënimit me burgim.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri E.R. më datë 26.01.2025, rreth orës 18:45, në rrugën Rajonale Mitrovicë – Pejë, përkatësisht në fshatin Qubrel, Komuna Skenderaj, nga pakujdesia duke mos e përshtat shpejtësinë me kushtet e rrugës ka shkelur dispozitat e Ligjit nr. 08/L-186 Për Trafikun Rrugor, nenet 38, 45 dhe 50 në atë mënyrë që derisa i pandehuri E.D., kishte qenë duke e drejtuar automjetin zyrtar, ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe kalon në shiritin e kahjes së kundërt dhe aksidentohet me automjetin VW Golf IV, të cilën e drejtonte tani i ndjeri A.G., dhe si rezultat i aksidentit, lëndime fatale kanë pësuar të ndjerët A.G., G.G .dhe Z.G. kurse lëndime të rënda trupore pëson vet i pandehuri si dhe pasagjerët e tij D.E., B.H. si dhe pasagjeri i automjetit Golf IV , fëmiu L.G”, ka njoftuar Gjykata Themelore në Mitrovicë – dega në Skenderaj.
Arsyetimin e këtij aktgjykimi palët do ta pranojnë me aktgjykimin e shkruar, ndërsa kundër të njëjtit kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor, duke filluar nga dita e pranimit të aktgjykimit. /Lajmi.net/