Gëzim Bimbashi jep dorëheqje nga pozita e kryetarit së SPRTK-së
Gëzim Bimbashi ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së. Përmes një komunikate për media, Bimbashi ka thënë se ky vendim nuk lidhet me ndonjë konflikt apo arsye të jashtme, por si pasojë e lodhjes dhe përqendrimit të energjisë së tij në karrierën e tij si gazetar. Ai ka thënë…
Lajme
Gëzim Bimbashi ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së.
“Gjatë dekadës që kam qenë pjesë e kësaj detyre, kemi punuar së bashku në mbrojtje të punëtorëve dhe të RTK-së. Kemi përballuar sfida, kemi reaguar ndaj padrejtësive, kemi marrë pjesë aktive në komisione dhe takime me institucione, kemi përfaqësuar Sindikatën në forume rajonale dhe ndërkombëtare, kemi organizuar komunikata dhe protesta kur ka pasur nevojë, dhe kemi zhvilluar aktivitete sociale dhe humanitare për anëtarët. Qindra komunikata, takime, aktivitete dhe përfaqësime janë dëshmi e punës sonë të përbashkët”, ka shkruar Bimbashi.
Ai ka thënë se kjo sindikatë ka treguar se është shembull i organizimit sindikal në Kosovë dhe mbetet autoritet i rëndësishëm brenda institucionit.
“Për këtë arsye, i bëj thirrje të gjithë kolegëve, përfshirë ata që ende nuk janë pjesë e Sindikatës, ta përqafojnë dhe ta mbështesin, sepse vetëm e bashkuar mund të ketë peshë reale dhe të mbrojë dinjitetin e punëtorëve. Ju falënderoj për besimin dhe bashkëpunimin gjatë gjithë këtyre viteve. Shpresoj që ky vendim do t’i japë mundësi Sindikatës të vazhdojë rrugëtimin e saj me energji të re dhe rezultate edhe më të fuqishme”, ka shkruar ai. /Lajmi.net/