Gërxhaliu për deklaratat e Kurtit për shtim të vendeve të punës dhe rritje ekonomike: Euforike, po i irritojnë qytetarët

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, i ka parë si euforike deklaratat e krerëve të Qeverisë për shtim të të punësuarve dhe rritje ekonomike të Kosovës, në vazhdën e, atë që ai e quan si kancerogjen të ekonomisë, inflacionit.

Lajme

23/03/2022 22:35

Gërxhaliu i ka deklaruar të gjitha këto në një intervistë për Lajmi.net, duke thënë se prioritetet e Qeverisë nuk ka qenë ekonomia por, para së gjithash, çështjet politike.

“Është e vërtetë që kemi pasur deklarata të shumta për rritje ekonomike. Kjo rritje ekonomike, që po paraqitet si formë nga institucionet dhe Banka Botërore e Fondi Monetar Ndërkombëtar, e ka irrituar masën. Sepse, rritja ekonomike substanciale është ajo rritje, efektet e së cilës i shijon qytetari. Në këtë drejtim, qytetarët e Kosovës kanë pasur shumë pak hapësirë që t’i shijojnë frytet e rritjes ekonomike në Kosovë”, ka deklaruar ai.

“E tëra kjo e ka ngritur apo përforcuar rolin e sindikatave, e ka rritur kërkesën për rritje të pagave, në veçanti për pagën minimale. Por, tërë kjo rritje e ka burimin e vetë, sepse inflacioni në Kosovë, në janar të vitit 2022 është 7.1 për qind. E kemi një import rekord të vitit 2021 me më tepër se 4 miliardë e 700 milionë euro dhe e tëra ka ndikuar të rritet volumi i importeve dhe të kemi të hyra të mëdha. Mirëpo, mos harroni që këto të rritura e kanë një sëmundje kancerogjene ekonomike që quhet inflacion”, ka shtuar më tej njohësi i çështjeve ekonomike.

Gërxhaliu, më tej, e ka parë shqetësuese që komiteti i bizneseve dhe diaspora janë motori i vetëm ekonomik i vendit, duke potencuar mungesën e investimeve në vend.

Ai ka folur edhe për të arriturat dhe dështimet e Qeverisë Kurti në përvjetorin e themelimit të saj, duke shtuar se në aspektin ekonomik, vendi me këtë qeveri është futur në krizë.

“Në këtë drejtim, e kam thënë atëherë, po e them edhe sot: Suksesi më i madh i kësaj qeverie do të kishte me qenë ndalimi e së keqës që e ka kapluar Kosovën. Është e vërtetë që ka qenë e pamundur të pritet më tepër nga kjo Qeveri, kur dihet që Kosova me këtë Qeveri ka hyrë në krizë. Pas Covid-19, e kemi pasur pandeminë ekonomike. Kur kësaj i shtohet edhe fakti se kemi një luftë brutale mes Ukrainës dhe Rusisë, ku në njëfarë forme kanë ndikuar në një ndryshim total ekonomik në botë, atëherë është e tepërt të pritet më tepër”.

“Kur kësaj i shtohet fakti se kemi pasur një hallk në fytë i quajtur dialogu Kosovë-Serbi dhe presioni ndërkombëtar, vërtetë shumë më tepër është premtuar sesa që është realizuar. Është e vërtetë që kur dominon agjenda politike, është e pamundur të ketë hapësirë për procese ekonomike. Në këtë drejtim, e tëra kjo që ka ndodhur në Kosovë karakterizohet në një distancë të pushtetit, në një mungesë të partneritetit dhe dialogut publiko-privat dhe në një dështim total të diplomacisë politike dhe ekonomike të Kosovës. Hapat që duhet të numërohen kanë qenë ndalja e disa keqpërdorimeve nëpër institucione, luftë e hapur drejt krimit të organizuar dhe korrupsionit. Mirëpo, vetë fakti që kemi tri hallka që si duket nuk kanë qenë të koordinuara sa dhe si duhet ku e kemi policinë, prokurorinë dhe kemi pasur gjykatën, besoj që shumë më tepër ka pasur spektakël dhe pompozitet sesa substancë”, ka theksuar më tej Gërxhaliu.

Ai, në fund, e ka cilësuar si dështim të madh çështjen e Prokurimit Publik, ku sipas tij, e ka ngulfatur sektorin privat. /Lajmi.net/