Gërxhaliu: Çmimi i naftës do të vazhdojë të rritet, Kosova pa mekanizma mbrojtës

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, paralajmëron se çmimet e derivateve do të vazhdojnë të rriten si pasojë e tensioneve globale dhe sulmeve ndaj rafinerive ruse të naftës, të cilat kanë shkaktuar disbalancë në tregun botëror. Ai thekson se, ndryshe nga shumë shtete që ulin akcizën ose përdorin rezervat shtetërore për të zbutur…

Lajme

24/07/2026 21:55

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, paralajmëron se çmimet e derivateve do të vazhdojnë të rriten si pasojë e tensioneve globale dhe sulmeve ndaj rafinerive ruse të naftës, të cilat kanë shkaktuar disbalancë në tregun botëror.

Ai thekson se, ndryshe nga shumë shtete që ulin akcizën ose përdorin rezervat shtetërore për të zbutur goditjen, Kosova nuk ka mekanizma të tillë, prandaj qytetarët do të përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve dhe presion më të madh inflacionist.

“Janë disa faktorë që janë duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë apo në mënyrë periferike në ngritjen e çmimeve të derivateve të naftës, jo vetëm në Kosovë, por në botë. Deri më tani arsyetimi ka qenë ngushtica e Hormuzit dhe e tëra kjo që është duke ndodhur në luftën mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Izraelit dhe Iranit. Mirëpo tani është edhe një problem tjetër që po ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në disbalancën e tregtisë së naftës në botë. Janë sulmet permanente të Ukrainës në raferitë më të mëdha të naftës në Rusi. Dëmet janë afër 15 miliardë dollarë, ndërsa produktiviteti apo përpunimi i naftës në Rusi është përgjysmuar deri në 60%. E tëra kjo ka shtuar nevojën e re për import të naftës, që do të thotë Rusia ka qenë një eksportuese mjaft e madhe e naftës së përpunuar dhe tani duhet të importojë. Importon nga Bjellorusia, importon nga India, Kina dhe Pakistani, dhe e tëra kjo po e bën një disbalancë në atë ligjin e quajtur “oferta dhe kërkesa”, dhe nuk duhet të na habisë fakti që sot e kemi një fuçi nafte afër 85 dollarë”, thotë ai.

“Mirëpo, në të njëjtën kohë, shumë shtete kanë mekanizma për të ndërhyrë: ose e bëjnë ndryshimin e politikës fiskale, ose e ulin akcizën, por mbi të gjitha investojnë në krijimin e rezervave shtetërore. Dhe për fat të keq, këtë Kosova nuk e ka. Prandaj jemi dëshmitarë të asaj që pothuajse në mënyrë permanente ngrihet çmimi i naftës nga dita në ditë, varësisht nga trendet globale”, tha Gërxhaliu për GazetaBlic.