Gërvalla takon ambasadorin e ri gjerman në Kosovë, diskutohet për zgjerimin e bashkëpunimit në ekonomi, siguri, energji dhe inovacion

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka pritur në takim Ambasadorin e ri të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph. MPJD përmes një komunikate për media, ka thënë se Gërvalla e ka uruar ambasadorin për fillimin e mandatit duke theksuar angazhimin e Kosovës për thellimin e marrëdhënieve me Gjermaninë, si partnere…

Lajme

16/10/2025 13:01

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka pritur në takim Ambasadorin e ri të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.

MPJD përmes një komunikate për media, ka thënë se Gërvalla e ka uruar ambasadorin për fillimin e mandatit duke theksuar angazhimin e Kosovës për thellimin e marrëdhënieve me Gjermaninë, si partnere strategjike dhe aleate kyçe të vendit tonë.

“Ministrja Gërvalla vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të pandërprerë që Gjermania i ka dhënë Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit, si dhe në rrugëtimin e vendit drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Ministrja Gërvalla theksoi rëndësinë e rolit të mërgatës sonë në Gjermani, e cila shërben si një urë lidhëse shumë e fuqishme mes dy vendeve, duke kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në fushat ekonomike, shoqërore dhe kulturore”, ka njoftuar MPJD. 

Në këtë takim, është diskutuar edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në sektorët kyç të ekonomisë, sigurisë, energjisë dhe inovacionit.

“Ministrja Gërvalla dhe ambasadori u dakorduan për intensifikimin e investimeve dhe për nxitjen e projekteve që përfshijnë mërgatën tonë, duke vlerësuar këtë bashkëpunim si një faktor të rëndësishëm për zhvillimin dhe të ardhmen e përbashkët të Kosovës dhe Gjermanisë”, thuhet më tutje në komunikatë. /Lajmi.net/