Gërvalla dhe ekipi i saj u pritën nga ushtruesi i detyrës së gjyqtarit mbikëqyrës, Valon Hajdini, së bashku me gjyqtarë dhe përfaqësues të stafit administrativ të degës.
Gjatë takimit, ajo tha se u njoftua me gjendjen dhe performancën e institucionit, ngarkesën me lëndë, efikasitetin në trajtimin e tyre, sfidat me të cilat përballet gjykata, si dhe masat e ndërmarra për uljen e numrit të lëndëve të pazgjidhura.
“Reforma në drejtësi nuk është premtim politik, por një domosdoshmëri shtetërore. Pakoja e pesë ligjeve të reformës në drejtësi, procesi i Vetingut dhe funksionalizimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme përbëjnë shtyllat kryesore të ndërtimit të një sistemi drejtësie më të përgjegjshëm, më të besueshëm dhe më të drejtë për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Gërvalla.
Gërvalla tutje ka thënë se Republika e Kosovës nuk mund të ndërtohet mbi pandëshkueshmërinë dhe as të ecë përpara me institucione të dobëta.
“Drejtësia duhet të jetë e fortë, profesionale dhe e pakompromis ndaj paligjshmërisë, sepse vetëm kështu forcohet besimi i qytetarëve dhe konsolidohet vetë Republika.Reforma në drejtësi është e paalternativë, ndërsa pandëshkueshmëria nuk është opsion për një shtet të së drejtës”, ka thënë ajo.