​Gërvalla: Nuk blejmë armatim nga Rusia, Kina, Irani e vende të tilla

Përgjatë takimit të Këshillit të mbrojtjes së OKB-së, ministrja në detyrë e punëve të jashtme, Donika Gërvalla tha se sulmi terrorist në Banjskë nuk ishte një incident. Ajo tha se sulmi në Banjskë ka qenë një akt i hapur i agresionit nga shteti i Serbisë kundrejt Kosovës, duke theksuar se edhe pse ka pasur prova,…

Lajme

21/10/2025 19:13

Përgjatë takimit të Këshillit të mbrojtjes së OKB-së, ministrja në detyrë e punëve të jashtme, Donika Gërvalla tha se sulmi terrorist në Banjskë nuk ishte një incident.

Ajo tha se sulmi në Banjskë ka qenë një akt i hapur i agresionit nga shteti i Serbisë kundrejt Kosovës, duke theksuar se edhe pse ka pasur prova, ky akt ka kaluar i pa ndëshkuar e kjo mosndëshkueshmëri mund të hap rrugë për sulme apo vepra të tjera që do të eskalonin situatën.

“Dua të nënvizoj edhe një herë, Banjska nuk ka qenë aksident, ka qenë akt i agresionit të hapur nga shteti i Serbisë ndaj një shteti fqinj, Republikës së Kosovës. Pastaj mosndëshkueshmëria ndikoj. Integriteti i infrastrukturës sonë kritike në nëntor të vitit të kaluar nuk ishte incident, ka qenë sulm kinetik i Serbisë ndaj një shteti fqinj. Të gjithë këtu edhe jashtë këtij objekti e di saktë se kush qëndron prapa këtyre veprimeve. E kemi parë në videoxhirimet nga Banjska, por nuk është që ka ndonjë pasojë. Po, kemi blerë drone por jo nga një vend fqinj, nga një anëtar i NATO-s, Turqia, dhe po blejmë armatim nga aleatët tanë të NATO-s, nga partnerët tanë dhe që të jemi të sinqertë nuk jemi neutral, as nuk pretendojmë të jemi neutral sepse qëndrojmë përkrahë partnerëve tanë, aleatëve tanë dhe këtë e bëjmë në mënyrë krejt transparente dhe të qartë.”, tha ajo

Më tej, ajo kritikoi Serbinë për blerje të armatimit nga shtete si Rusia, Kina dhe Irani duke thënë se Kosova nuk bën një gjë të tillë.

Gjithashtu, ajo tha se situata në veri të Kosovës nuk është siç paraqitet, duke thënë se qeveria po angazhohet në dialog me qytetarët e veriut që të përmirësojë jetën e atyre qytetarëve

“Ne nuk blejmë armatim siç bën fqinji jonë verior, nuk blejmë armatim nga Rusia, as nga Kina, as nga Irani e vende të tjera të tilla. Institucionet shëndetësore nuk po mbyllen në veri, mu e kundërta, një dialog serioz me qytetarët tanë në komunat veriore që i përkasin pakicës serbe është në vazhdim e sipër mbi atë se si shëndetësia, arsimi, infrastruktura do të duken në Kosovë sepse ka të bëj me ta, çka ata kanë nevojë, si ata duan ta bëjnë jetën e tyre si qytetarë të Kosovës. Nuk duam e as nuk kemi nevojë për geto për qytetarët tanë serbë, na duhet integrimi, mbrojtja, përkrahja për ta dhe si qeveri e përgjegjshme po ndërmarrim veprime shumë serioze për të siguruar këto gjëra. Mu për këtë po ndërtojmë ura, rrugë, shkolla, spitale dhe jo mure kundrejt pakicave tona. Asnjë institucion i Kosovës e as ndërkombëtar apo ndonjë organizatë nuk e konfirmojnë pjesën më të madhe të raporteve të UNMIK-ut. Ajo që e tha Marko Gjuriq këtu nuk më befason fare dhe për ata që e kanë ndjekur në fund të viteve të 80-ta të shekullit të kaluar atë që ka ndodhur në Jugosllavi do t’iu përkujtohet se saktësisht me këtë mënyrë, me këtë gjuhë Millosheviqi ka përgatitur luftat që ka nisur kundër Sllovenisë, pastaj Kroacisë, Bosnjës dhe në fund Kosovës.”, tha ajo.

Në fund të fjalimit të saj, ministrja në detyrë i bëri ftesë të hapur anëtarëve të këshillit që të vizitojnë Kosovën dhe të shohin vetë situatën, duke thënë se Kosova është një storje e progresit të pabesueshëm.

“Më lini të bëj edhe një herë këtë ftesë para këtij organi të shquar që të vizitojë Kosovën. Që të flasin me qytetarët e Kosovës… ju ftoj që të vini që të flisni me këdo që dëshironi dhe ju ftoj që të bëheni vetë dëshmitarë të një rrëfimi të pabesueshëm të progresit që Kosova ka shënuar me ndihmën e paçmueshme të miqve dhe aleatëve tanë. Vizitoni Kosovën, flisni me kudo që dëshironi dhe vetë krijojeni opinionin dhe bëhuni dëshmitarë të një storje të pabesueshme të angazhimit ndërkombëtar në Kosovë.”, tha ajo.