Gërvalla në takim lamtumirës me shefin e EULEX-it: Nuk ka rrugë tjetër përveç Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë, ajo do të bëhet
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka pritur në takim lamtumirës Shefin e Misionit të EULEX-it në Republikën e Kosovës, Giovanni Pietro Barbano. Ajo ka thënë se me të kanë folur rreth punës dhe angazhimit të këtij misioni në Republikën e Kosovës si dhe për bashkëpunimin në funksion të avancimit të proceseve në fushën e sundimit…
Lajme
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka pritur në takim lamtumirës Shefin e Misionit të EULEX-it në Republikën e Kosovës, Giovanni Pietro Barbano.
Ajo ka thënë se me të kanë folur rreth punës dhe angazhimit të këtij misioni në Republikën e Kosovës si dhe për bashkëpunimin në funksion të avancimit të proceseve në fushën e sundimit të ligjit.
“Reformat në drejtësi mbeten të domosdoshme dhe të pakthyeshme, të orientuara drejt rritjes së llogaridhënies, forcimit të integritetit dhe përmirësimit të efikasitetit në të gjitha hallkat e sistemit. Në këtë kuadër, funksionalizimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme që po ashtu u diskutua në takim, përbën një ndër shtyllat më të rëndësishme të reformës në drejtësi dhe të luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar, dhe nuk ka rrugë tjetër përveç jetësimit të Byrosë. Byroja do të bëhet. Byroja do të jetësohet. Nuk ka rrugë tjetër”, ka thënë ajo.
Gërvalla ka thënë se kanë biseduar për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e eksperiencave dhe përfitimet profesionale të zyrtarëve, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit.
“Prandaj, thellimi i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë është i rëndësishëm për të siguruar që këto procese të përkthehen në rezultate të qëndrueshme dhe të matshme. Sundimi i ligjit kërkon zbatim të njëtrajtshëm dhe të paanshëm, si dhe vendimmarrje të qëndrueshme në çdo rast e situatë. Konsolidimi institucional dhe forcimi i profesionalizmit mbeten thelbësore për një sistem drejtësie funksional dhe të besueshëm”, ka shtuar ajo. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: