Gërvalla në burgun për femra në Lipjan: Sa më të zbrazëta burgjet, aq më i fortë është shteti dhe aq më e fortë është shoqëria jonë

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e shoqëruar nga Zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, dhe Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, kanë vizituar Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan. Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se në këtë vizitë, Ministrja Gërvalla zhvilloi takim me drejtorët e institucioneve korrektuese dhe drejtorët e departamenteve të…

Lajme

12/03/2026 13:28

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e shoqëruar nga Zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, dhe Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, kanë vizituar Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan.

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se në këtë vizitë, Ministrja Gërvalla zhvilloi takim me drejtorët e institucioneve korrektuese dhe drejtorët e departamenteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Korrektues të Kosovës, me të cilët diskutuan për punën, sfidat dhe prioritetet në sistemin korrektues.

Theks të veçantë iu kushtua gjendjes së sigurisë në institucionet korrektuese, parandalimit të kontrabandës, forcimit të masave të kontrollit dhe zbatimit të programeve resocializuese për të burgosurit.

“Sistemi korrektues duhet të jetë i fortë, i disiplinuar dhe i drejtë. Kjo kërkon udhëheqje të vendosur, zbatim të pakompromis të ligjit dhe përkushtim të plotë institucional për të garantuar sigurinë, rendin dhe integritetin e çdo institucioni korrektues në vend. Këto standarde nuk janë vetëm pritje institucionale, por përgjegjësi që do të ndiqen me seriozitet dhe vëmendje të vazhdueshme nga afër”, tha Ministrja Gërvalla.

Në kuadër të agjendës së vizitës, ministrja Gërvalla vizitoi edhe hapësirat e Qendrës Korrektuese për Femra, me ç‘rast bisedoi me të burgosurat dhe u njoh me ambientet e punës, përfshirë kabinetin e IT-së, rrobaqepësinë dhe bibliotekën. Po ashtu, ajo pa nga afër disa nga punimet e ekspozuara me filigran në argjend dhe punime filigran në letër të realizuara nga të burgosurat në kuadër të aktiviteteve rehabilituese.

“Sa më shumë të investojmë në resocializim, aq më mirë e përmbushim detyrimin që kemi si shtet. Sepse dënimi është heqja e lirisë, ndërsa suksesi i sistemit korrektues matet edhe me aftësinë e një personi për të ndërtuar një jetë normale pas përfundimit të dënimit. Sa më të zbrazëta burgjet, aq më i fortë është shteti dhe aq më e fortë është shoqëria jonë”, u shpreh Ministrja Gërvalla.

Vizita u përmbyll me dorëzimin e kupës së finales në tenis, ndeshje e cila u zhvillua mes të burgosurave.