Gërvalla: Kosova e Polonia me partneritet në siguri, mbrojtje dhe ekonomi

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla ka takuar Ministrin e Jashtëm të Polonisë, Radosëaw Sikorski, ku kanë diskutuar për rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes Republikës së Kosovës dhe Polonisë pas mbajtjes disa javë më parë të Forumit Ekonomik në Poloni. Po ashtu të dy homologet janë pajtuar që të rritet…

Lajme

24/09/2024 23:21

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla ka takuar Ministrin e Jashtëm të Polonisë, Radosëaw Sikorski, ku kanë diskutuar për rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes Republikës së Kosovës dhe Polonisë pas mbajtjes disa javë më parë të Forumit Ekonomik në Poloni.

Po ashtu të dy homologet janë pajtuar që të rritet bashkëpunimi i ngushtë në çështjet e sigurisë rajonale dhe integrimit euroatlantik.

Në njoftimin për media nga MPJD-ja, thuhet se gjatë takimit të mbajtur në margjinat e Sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, u vunë në pah marrëdhëniet e ngushta mes Kosovës dhe Polonisë, duke u përqendruar në përkushtimin e përbashkët të të dy vendeve ndaj vlerave evropiane, sigurisë dhe thellimit të bashkëpunimit dypalësh.

Ministrja Gërvalla shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e Polonisë në proceset e integrimeve euroatlantike të Kosovës duke theksuar përkushtimin e Republikës së Kosovës për të mbështetur me të gjitha mjetet Ukrainën dhe qytetarët e saj në luftën kundër agresionit rus si dhe për të luftuar së bashku ndikimet e rrezikshme në rajonin tonë.

Duke vlerësuar lart hapjen për herë të parë të misionit të Republikës së Kosovës në Varshavë, Ministrja Gërvalla vlerësoi rolin e Polonisë në përparimin e Kosovës drejt anëtarësimit euroatlantik.