Gërvalla: Duhet të angazhohemi edhe më shumë për sigurinë dhe stabilitetin në rajon

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla vizitën e zëvendëskryeministrit të Luksemburgut në Kosovë e konsideroi si dëshmi të qartë të miqësisë së thellë mes të dyja vendeve. Kryediplomatja, Gërvalla tha se Luksemburgu është partner kyç për rrugën e Kosovës drejtë BE-së dhe NATO-s. Sipas saj memorandumi i bashkëpunimit që do të nënshkruhet…

Lajme

04/11/2024 15:26

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla vizitën e zëvendëskryeministrit të Luksemburgut në Kosovë e konsideroi si dëshmi të qartë të miqësisë së thellë mes të dyja vendeve.

Kryediplomatja, Gërvalla tha se Luksemburgu është partner kyç për rrugën e Kosovës drejtë BE-së dhe NATO-s.

Sipas saj memorandumi i bashkëpunimit që do të nënshkruhet në mes Kosovës dhe Luksemburgut synon të nxis investimet dhe do të forcoj projektet në sektorin privat.

“Vizita e tij është një dëshmi e qartë e miqësisë së thellë mes dy vendeve tona dhe përkushtimit tonë të përbashkët për të forcuar marrëdhëniet tona të ngushta. Edhe më të shënuar e bënë këtë ditë përurimi i ambasadës së re të Luksemburgut në Prishtinë, e cila është simbol i fortë i lidhjeve tona, një gjest me peshë të veçantë në kohë të tilla sfiduese për rajonin dhe Evropën…Në këtë proces Luksemburgu është dhe ka qenë partner kyç me përvojë të gjerë në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe ekonomik, në rrugën tonë drejtë anëtarësimit në BE dhe NATO i konsiderojmë vendet tjera anëtare përfshirë edhe të voglat dhe të mëdha si partner strategjik të posaçëm. Këto partneritete janë kyçe për stabilitetin dhe paqen në Ballkanin Perëndimor”, tha ajo.

Zëvendëskryeministrja, Gërvalla tha se javën e kaluar në Këshillin e OKB-së ka theksuar rrezikun e madh për destabilizim nga Serbia dhe Rusia.

Sipas saj duhet angazhim i shtuar për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

“Javën e kaluar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kam theksuar rrezikun e madh që vjen nga një fqinj gjithnjë më agresiv i yni dhe nga një Rusi gjithnjë e më agresive që të dy synojnë destabilizimin e Ballkanit. Këshilli Evropian për Marrëdhënie të Jashtme ka publikuar një paralajmërim se nëse NATO, BE dhe SHBA nuk ndërmarrim hapa më të vendosur për t’iu përgjigjur këtyre kërcënimeve ekziston rreziku që një konflikt të rikthehet në Ballkan. Ky është një angazhim serioz për të gjithë ne që na detyron të angazhohemi edhe më shumë për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë”, theksoi ajo.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Luksemburgut, Xavier Bettel, gjatë vizitës së tij në Kosovë do të zhvillojë një sërë takimesh me përfaqësuesit më të lartë të institucioneve kosovare. Bettel pas takimin me kryediplomaten kosovare, Donika Gërvalla, u takua edhe me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislmi dhe më pas edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.