Gazeta zvicerane zbulon takimet e fshehta të Bislimit me Gjuriqin në Solothurn – Në Kosovë u mbajt fshehur
Zëvendëskryeministri i Kosovës në detyrë, Besnik Bislimi, dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, kanë zhvilluar takime të fshehta në qytetin zviceran Solothurn, me ndërmjetësimin e Qeverisë së Zvicrës, raporton gazeta prestigjioze “Neue Zürcher Zeitung (NZZ)”. Takimet janë konfirmuar edhe nga Departamenti Federal për Punë të Jashtme i Zvicrës. Sipas NZZ-së, takimi i fundit…
Lajme
Zëvendëskryeministri i Kosovës në detyrë, Besnik Bislimi, dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, kanë zhvilluar takime të fshehta në qytetin zviceran Solothurn, me ndërmjetësimin e Qeverisë së Zvicrës, raporton gazeta prestigjioze “Neue Zürcher Zeitung (NZZ)”. Takimet janë konfirmuar edhe nga Departamenti Federal për Punë të Jashtme i Zvicrës.
Sipas NZZ-së, takimi i fundit është mbajtur muajin e kaluar, dhe përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë u panë duke biseduar në mënyrë shumë familjare dhe të ngrohtë, gjë që ka befasuar edhe njohësit e konfliktit.
Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë informacione zyrtare për këto takime dhe për përmbajtjen e tyre.
Të ashtuquajturat “Bisedimet e Solothurnit” janë takime konfidenciale, që organizohen dy deri tre herë në vit, larg kamerave dhe vëmendjes së publikut. Qëllimi i tyre është të ndihmojnë në ndërtimin e besimit dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Për këto bisedime është raportuar për herë të parë nga “NZZ am Sonntag” në vitin 2022, por nuk ishte e njohur se në to marrin pjesë zyrtarë të nivelit të lartë nga të dyja vendet.
“Zvicra i ka filluar këto bisedime për t’u dhënë një hapësirë të sigurt dhe të qetë për diskutime, larg kamerave,” ka thënë për NZZ Roland Salvisberg, shef i seksionit për Paqe dhe të Drejta të Njeriut në Departamentin Federal për Punë të Jashtme të Zvicrës.
Ndonëse dialogu zyrtar udhëhiqet nga Bashkimi Evropian, NZZ vlerëson se roli i Zvicrës tashmë shihet si komplementar dhe i dobishëm edhe nga Brukseli. Bisedimet e Solothurnit nuk synojnë një marrëveshje të madhe përfundimtare, por krijimin e kanaleve të komunikimit që ndihmojnë në uljen e tensioneve në momente kritike. /Lajmi.net/