Gazeta zvicerane NZZ raporton takime “të fshehta”, Kadiu sqaron rolin e Bislimit

Zëvendëskryeministri i Kosovës në detyrë, Besnik Bislimi, dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, u raportuan nga gazeta prestigjioze “Neue Zürcher Zeitung (NZZ)” se kishin zhvilluar takime të fshehta në qytetin zviceran Solothurn, me ndërmjetësimin e Qeverisë së Zvicrës. Takimet janë konfirmuar edhe nga Departamenti Federal për Punë të Jashtme i Zvicrës. Sipas NZZ-së,…

Lajme

06/01/2026 12:49

Zëvendëskryeministri i Kosovës në detyrë, Besnik Bislimi, dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, u raportuan nga gazeta prestigjioze “Neue Zürcher Zeitung (NZZ)” se kishin zhvilluar takime të fshehta në qytetin zviceran Solothurn, me ndërmjetësimin e Qeverisë së Zvicrës. Takimet janë konfirmuar edhe nga Departamenti Federal për Punë të Jashtme i Zvicrës.

Sipas NZZ-së, takimi i fundit është mbajtur muajin e kaluar, dhe përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë u panë duke biseduar në mënyrë “familjare dhe të ngrohtë”, gjë që ka befasuar edhe njohësit e konfliktit.

Të ashtuquajturat “Bisedimet e Solothurnit” janë takime konfidenciale, që zhvillohen dy deri tre herë në vit, larg kamerave dhe vëmendjes së publikut. Qëllimi i tyre është ndërtimi i besimit dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, sipas NZZ-së, nuk bëhet fjalë për marrëveshje përfundimtare, por për krijimin e kanaleve të komunikimit që ndihmojnë në uljen e tensioneve.

Pas publikimit të lajmit, këshilltari për media i Zëvendëskryeministrit në detyrë, Bislimi, Klisman Kadiu, ka reaguar duke mohuar të gjitha pohimet për takime “të fshehta” me Gjuriçin:

“Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është i gjerë dhe përfshin shumë akterë ndërmjetësues. Krahas BE-së, ka edhe vende partnere e mike të cilat organizojnë iniciativa të ndryshme për ndërmjetësim mes palëve. E tillë është edhe Zvicra, që e bën këtë përmes Departamentit për Punë të Jashtme, dhe organizon çdo vit takime me shoqëri civile, ekspertë, politikanë dhe qeveritarë nga të dy shtetet. Shprehim mirënjohjen ndaj Zvicrës për angazhimin dhe përkushtimin e saj.
Por këto takime nuk janë ‘të fshehta’. Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator në këtë mandat, nuk ka patur takime ‘të fshehta’, e aq më pak me Marko Gjuriç. Në njërin nga këto takime në Zvicër, ka qenë i ftuar si folës edhe zëvendëskryeministri, por në atë takim nuk ka qenë pjesëmarrës Gjuriç. Pra, Zëvendëskryeministri Bislimi nuk ka patur asnjë takim në Zvicër me Marko Gjuriç dhe kurrë nuk e ka takuar atë.”

Reagimi i Kadiut vjen për të sqaruar situatën dhe për të theksuar transparencën e rolit të Bislimit në dialogun Kosovë–Serbi, duke evidentuar se kontributi i Zvicrës është pjesë e një procesi gjithëpërfshirës dhe të hapur. /Lajmi.net/