Gati për sulme ajrore në Siri

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatiten për zgjerimin e përpjekjeve për luftimin e militantëve të  të ashtuquajturit “Shteti Islamik”, i shpallur në territoret e okupuara të Irakut dhe Sirisë nga ana e  organizatës terroriste të quajtur “Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë” (ISIS).

Bota

27/08/2014 11:06

“Shtetet e Bashkuara do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur qytetarët amerikanë”, i ka thënë një zyrtarë i lartë i Pentagonit, Zërit të Amerikës, duke aluduar tek sulmet e mundshme ndaj caqeve të “Shtetit Islamik” në Siri, ndërkohë që vazhdojnë sulmet ajrore ndaj caqeve të militantëve të këtij shteti në Irak.

Autorizimi i sulmeve ajrore nga presidenti Barack Obama ndaj caqeve të “Shtetit Islamik” në Irak, duket se nuk është i mjaftueshëm për të shmangur rrezikun nga kërcënimet e militantëve se “do ta lajnë në gjak Amerikën”.

Por duke iu referuar ekzekutimit brutal, me prerje koke, të gazetarit amerikan të zënë rob, James Foley nga militantët sunni të “Shtetit Islamik”, presidenti ka paralajmëruar “luftë kundër kancerit”

“Amerika nuk harron, ne kemi aftësi të mëdha. Ne jemi të durueshëm. Drejtësia do të vihet në vend”, ka thënë presidenti Obama, i cili duke marrë parasysh përparimet e këtij grupi në Siri, ka thënë se sfida është e qartë.

“Çrrënjosja e një kanceri si grupi ISIS nuk do të jetë e lehtë ose i shpejtë”, ka thënë presidenti amerikan.

Shtetet e Bashkuara, përveç sulmeve ajrore,  deri më tani kanë kryer rreth 60 fluturime vëzhgimi në ditë mbi Irak, ndërsa një ditë më parë presidenti autorizoi fluturime vëzhgimi edhe në Sirinë fqinje, ku prej tri vjetësh nga lufta civile, e klaneve dhe grupeve sektare islame, janë vrarë mbi 190 mijë sirianë.

Administrata e presidentit amerikan po rri e heshtur rreth sinjaleve se Shtetet e Bashkuara po përgatiten për fillimin e sulmeve ajrore kundër “Shtetit Islamik” në Siri, por zëdhënësi i Pentagonit, Admirali John Kirby, ka deklaruar se forcat amerikane janë gati për hapat e ardhshëm.

“Ne duhet të jemi të gatshëm për veprimet që duhet të ndërmarrim për të mbrojtur qytetarët amerikanë brenda dhe jashtë vendit, dhe kufijtë gjeografik nuk do të na pengojnë për kryerjen e misionit tonë”, ka thënë ai.

Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se “Shteti Islamik” është një kërcënim rajonal me aspirata globale.

Pushtimi i një pjese të konsiderueshme të Sirisë dhe Irakut nga ISIS dhe shpallja e kalifatit të tyre ka shkaktuar vdekjen e mbi 5000 irakianëve, shumica civilë të komunitetit Yazidi, të krishterë, por edhe myslimanë shiitë, ndërsa mbi një milion janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar gjenocidit.