Gati 44 mijë qytetarë të regjistruar për të votuar nga jashtë në Zgjedhjet Lokale 2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e 55-të me radhë për këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi, ku janë marrë disa vendime kyçe në kuadër të përgatitjeve për Zgjedhjet Lokale 2025. Në këtë mbledhje, KQZ ka certifikuar Listën e Votuesve për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe Kuvende Komunale, të…

Lajme

06/09/2025 18:01

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e 55-të me radhë për këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi, ku janë marrë disa vendime kyçe në kuadër të përgatitjeve për Zgjedhjet Lokale 2025.

Në këtë mbledhje, KQZ ka certifikuar Listën e Votuesve për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025, transmeton lajmi.net.

Sipas të dhënave të publikuara, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote është 2,069,098, nga të cilët 43,993 janë të regjistruar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës, ndërsa 2,025,105 janë të regjistruar për të votuar brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Procesi zgjedhor do të organizohet në gjithsej 938 Qendra të Votimit me 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 Qendra të Votimit për votimin e rregullt me 2,571 vendvotime, si dhe 38 Qendra të Votimit për votimin me kusht, të cilat përfshijnë 54 vendvotime.

Në këtë mbledhje, KQZ miratoi gjithashtu përmbajtjen dhe dizajnin e fletëvotimeve për secilën komunë, si dhe mori vendime të tjera të rëndësishme organizative, përfshirë:

  • Përcaktimin e formulës për përbërjen e Këshillave të Vendvotimeve;

  • Përcaktimin e formulës për përbërjen e ekipeve të numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit;

  • Caktimin e numrit maksimal të votuesve për vendvotim;

  • Caktimin e Qendrave të Votimit dhe vendvotimeve për votimin me kusht;

  • Mbikëqyrjen e procesit të shtypjes së fletëvotimeve, broshurave dhe Listës Votuese.

KQZ theksoi se përgatitjet për zgjedhjet po ecin sipas planit dhe se të gjitha proceset do të zhvillohen në përputhje me standardet ligjore dhe demokratike./lajmi.net/