Gashi: Votimi me 64 deputetë shkelje e rëndë kushtetuese, zgjidhja janë zgjedhjet e reja

Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nisja e votimit për Presidentin me vetëm 64 deputetë në sallë përbën shkelje të rëndë kushtetuese. Gashi ka theksuar se aktgjykimi i Gjykata Kushtetuese e Kosovës është i qartë dhe kërkon pjesëmarrjen e të paktën 80 deputetëve në raundin e parë të votimit. “Sonte, derisa…

Lajme

27/04/2026 23:36

Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nisja e votimit për Presidentin me vetëm 64 deputetë në sallë përbën shkelje të rëndë kushtetuese.

Gashi ka theksuar se aktgjykimi i Gjykata Kushtetuese e Kosovës është i qartë dhe kërkon pjesëmarrjen e të paktën 80 deputetëve në raundin e parë të votimit.

“Sonte, derisa po zhvillohet votimi në Kuvend, po përsëritet një gabim i rëndë kushtetues. Aktgjykimi KO 29/11 është i qartë dhe i prerë. Në paragrafin 87 thuhet se me pjesëmarrjen e vetëm 67 deputetëve është shkelur Kushtetuta,” ka shkruar Gashi.

Sipas tij, standardi kushtetues është i padiskutueshëm dhe çdo proces pa numrin e kërkuar të deputetëve është nul, politikisht i papërgjegjshëm dhe juridikisht i paqëndrueshëm.

“Sonte, derisa po zhvillohet votimi në Kuvend, po përsëritet një gabim i rëndë kushtetues.Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese KO 29/11 është i qartë dhe i prerë. Në paragrafin 87 thuhet:“Gjykata konkludon se, meqë vetëm 67 deputetë morën pjesë në procedurën për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës … neni 86 i Kushtetutës u shkel.” Pra, standardi kushtetues ekziston dhe është i padiskutueshëm: pa pjesëmarrjen e numrit të kërkuar të deputetëve, procesi është NUL.

Ajo që po bëhet sonte është e gabuar, politikisht e papërgjegjshme dhe juridikisht e paqëndrueshme. Nuk mund të ndërtohen institucionet mbi shkeljen e Kushtetutës”, ka shkruar ai.

Gashi ka vlerësuar se, pas këtij votimi, procesi duhet të shpallet i dështuar dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja, si zgjidhja e vetme e drejtë dhe demokratike.

Ai ka shtuar se përgjegjësia bie mbi ata që, sipas tij, po injorojnë standardet kushtetuese për interesa politike.

“Pas përfundimit të këtij votimi, ky proces duhet të shpallet i dështuar. Në këto rrethana, zgjidhja e vetme e drejtë dhe demokratike është kthimi te qytetari: shpallja e datës së zgjedhjeve të reja dhe rikthimi i legjitimitetit të plotë institucional. Përgjegjësia bie mbi ata që, edhe pse e dinë qartë standardin kushtetues të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, po zgjedhin ta injorojnë atë për interesa të momentit politik. Kushtetuta nuk mund të interpretohet sipas nevojës së natës ajo duhet respektuar. Kosova meriton stabilitet, respekt për Kushtetutën dhe institucione që burojnë nga një proces i pastër, i ligjshëm dhe legjitim”, ka përfunduar Gashi.