Gara për të parin e PDK-së nis të marrë drejtim, dikush konfirmohet e dikush vendos nesër

Partia Demokratike e Kosovës pritet që të zhvillojë Konventën Zgjedhore të partisë me 3 korrik. Por deri më tani i vetmi kandidat zyrtar në kuadër të kësaj partie është Memli Krasniqi.

Lajme

30/06/2021 23:00

Kandidimin për të parin e PDK-së, Memli Krasniqi e ka zyrtarizuar gjatë ditës së djeshme.

Por në kandidim ishte përmendur të jetë edhe Uran Ismaili. Por siç duket fokusin e tij Ismaili do ta zhvendosë në Komunën e Prishtinës.

Gjatë mbrëmjes së sotme Uran Ismaili veçse ka konfirmuar kandidimin e tij për të parin e Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës në vjeshtën e këtij viti.

Por çfarë do të ndodhë me Enver Hoxhajn, u.d së kryetarit të PDK-së për tetë muaj radhazi?

Vetë Enver Hoxhaj ka deklaruar së fundi se mund të ndodhë që nesër do të kandidojë për të drejtuar partinë e PDK-së.

Edhe pse kanë mbetur më pak se 24 orë deri në afatin e fundit për paraqitje, në bazë të rregullave të statutit të partisë, afati për regjistrimin e kandidaturës është deri 48 orë para konventës, e cila do të zhvillohet të shtunën, më 3 korrik.

“Nesër mund të kandidoj për kryetar të PDK-së”, deklaroi Hoxhaj.

Partia Demokratike e Kosovës pati u.d Enver Hoxhajn që nga koha kur ish-lideri i PDK-së, Kadri Veseli u nis për në Hagë, në një proces gjyqësorë në kuadër të Gjykatës Speciale.

Kurse është vetë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza i cili sonte ka treguar se nuk do të jetë kandidat për kryetar të kësaj partie, edhe pse emri i tij u lakua disa herë radhazi për këtë post partiak.

Për disa vite radhazi Partia Demokratike e Kosovës u drejtua nga krahu i luftës, njëherë nga Hashim Thaçi, e më pas nga Kadri Veseli.

Në ditët e ardhshme mbetet të shihet nëse tashmë drejtimi i PDK-së do të jetë ndryshe.

Në një deklarim për lajmi.net, zyrtari i PDK-së, Sami Lushtaku gjatë ditës së djeshme ka thënë se përkrah kandidimin e Memli Krasniqit.

Madje sipas tij Memli Krasniqi është një ndër njerëzit më të mirë që ka PDK, por ai theksoi se pritet të ketë edhe emra të rinj në kandidim për drejtimin e partisë.

Se kush do të udhëheq me PDK në një situatë aspak të lehtë, pritet që saktësisht të dihet me datë 3 korrik.

3 korriku do të jetë vendimtar për Partinë Demokratike të Kosovës që në zgjedhjet nacionale të këtij viti pati një rezultat jo shumë të kënaqshëm, por që doli parti e dytë duke lënë pas vetes Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe partitë e tjera opozitare.

Memli Krasniqi është shprehur tepër i bindur se me punë PDK do të ngritet dhe do të ketë rezultate edhe më të kënaqshme në zgjedhjet e ardhshme.

Ai i ka ftuar delegatët e PDK-së që ta mbështesin të shtunën në Konventë vizionin e tij për rritjen e PDK-së dhe rikthimin e besimit qytetar për ti fituar zgjedhjet e ardhshme./Lajmi.net/