“Gara digjitale” e politikanëve kosovarë: Pacollit s’ia kalon asnjëri për ndjekës në Facebook e Kurtit në Instagram, ja si qëndrojnë Hamza dhe Abdixhiku
Politikanët kosovarë janë shumë aktiv nëpër rrjete sociale. Për të dhënë qëndrimet e tyre mbi zhvillimet në vend, situatat e krijuara nëpër botë e ndonjëherë edhe thjesht për t’iu kundërpërgjigjur kundërshtarëve politik ata zakonisht i shfrytëzojnë mediat sociale. Më të përdorurat nga fytyrat publike, sidomos nga ata në politikë janë rrjetet sociale si Facebook, ish-twitter…
Lajme
Politikanët kosovarë janë shumë aktiv nëpër rrjete sociale. Për të dhënë qëndrimet e tyre mbi zhvillimet në vend, situatat e krijuara nëpër botë e ndonjëherë edhe thjesht për t’iu kundërpërgjigjur kundërshtarëve politik ata zakonisht i shfrytëzojnë mediat sociale.
Më të përdorurat nga fytyrat publike, sidomos nga ata në politikë janë rrjetet sociale si Facebook, ish-twitter tani i njohur si “X”, Instagram e dikush prej tyre edhe “TikTok”.
Shumë prej zyrtarëve shtetëror madje ndiqen, komentohen e janë shumë të ndjekur në këto profile. Përpos që kanë shumë ndjekës, shumë kanë edhe shpërndarje, komente e pëlqime të shumta që jepen në postimet që bëjnë.
E edhe këta zyrtarë shtetërorë e kryetar të partive politike në disa raste kanë “fuqizuar” këto profile përmes blerjeve të profileve fallco, apo njohur si “Fake profile” me ndjekës kinse që bëjnë pëlqime, por në fakt janë profile të rrejshme nga shumë anë të botës, shkruan lajmi.net.
E në bazë të dhënave që shihen hapur pas rrjetit social Facebook prapa nga përdorimi nuk mbetet as rrjeti “Instagram”, i cili ka një ndryshim drastik në lidhje me numrin e ndjekësve. Por cili prej tyre ka më shumë ndjekës?
Politikani që prin me numrin më të madh të ndjekësve në këtë rrjet social është kreu i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli i cili numëron 960 mijë ndjekës në Facebook.

Përpos që ka shumë ndjekës, Pacolli gjithashtu ka edhe shumë pëlqime e komente tek publikimet që bën. Në shumë raste pëlqimet arrijnë mbi 10 mijë në një publikim.
Pacolli këtë platformë e përdori madje edhe për informacione nga takime me dy njerëz.
Aty Pacolli, profilin e përdori edhe për kritika se si për tetë muaj u mbajt “peng”, Kuvendi. Madje uroi ditëlindje e thuri vargje për fëmijët e familjarët e tjerë. Profili i Pacollit pati edhe deklarime për “Mabetex-in” e bizneset e tjera që ka nën udhëheqje.
Pas tij renditet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me 587 mijë ndjekës në Facebook.

Ani pse Kurti është prapa tij dhe ka më pak ndjekës se Pacolli në rrjetet sociale. Postimet e tij pëlqehen mjaftë shumë, madje duke tejkaluar edhe Pacollin, ndonëse numri i ndjekësve rezulton të jetë më i ulët shkruan lajmi.net.
Kurti publikoi një video, rreth fushatës lidhur me zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, ku u takua me një të moshuar. Vetëm kjo video ka marrë mbi 53.7 mijë pëlqime dhe mbi 2.9 mijë komente.
Ndryshe në një fotografi që ai ka postuar rreth FSK-së, ka marrë plotë 10 mijë e 700 pëlqime, 552 komente dhe 188 shpërndarje.
Pas tyre në vendin e tretë renditet e para e shtetit Vjosa Osmani e cila ka 438 mijë ndjekës në rrjetin social në Facebook, mirëpo nuk duket të ketë ndonjë aktivitet të lartë të ndjekësve. Ndonëse postimi në të cilin Osmani tregoi se Bahamas ka njohur Kosovën mori hiç më pak se 21 mijë e 500 pëlqime dhe 1.5 mijë komente.

Ndryshe nga Pacolli, Osmani duket se profilin e saj zyrtar në Facebook e ka shfrytëzuar më tepër për të promovuar punën e saj.
Osmani në postimin e saj të fundit në Facebook, ka njoftuar deklarimin për media, pas takimit me Zv. Sekretarin Landau.
Në vendin e katërt tashmë gjendet i pari i AAK-së Ramush Haradinaj me plotë 291 mijë ndjekës, ku për një vit ka arritur t’i fitoj edhe 23 mijë ndjekës të tjerë.

Në krahasim me presidenten Osmani, Haradinaj llogarinë e tij në Facebook e përdor edhe për të treguar pak nga jeta e tij jashtë politikës dhe profesionit të tij.
Duke ndarë momente nga jeta e përditshme, Ramush Haradinaj duket se merr më tepër pëlqime aty. E muajt e fundit duket se kreu i AAK-së, nuk ka qenë dhe aq aktiv në aktivitete por më shumë për ngushëllime.
Ndërsa në mes Bedri Hamzës e Lumir Abdixhiku, ka dallim të madh ndërmjet ndjekësve, ku Abdixhiku prin me 32 mijë ndjekës më shumë.
Kësisoj Bedri Hamza kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ndiqet nga 49 mijë ndjekës, ndërsa Lumir Abdixhiku kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ndiqet nga 91 mijë ndjekës.

Hamza platformën e tij “Facebook”, muajt e fundit e ka shfrytëzuar vetëm rreth punës së kësaj partie dhe asaj individuale.
I pari i PDK-së pavarësisht numrit të ndjekësve ka një interval të njëjtë dhe të baraspeshuar sa i përket pëlqimeve nga ndjekësit e tij.
Postimi i tij i fundit me më së shumti pëlqime është ai në Prizren së bashku me kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj, ky postim ka grumbulluar plotë 3.4 mijë pëlqime.

Për dallim me të parin e PDK-së, i cili ka 32 mijë ndjekës më pak në këtë rrjet social, Abdixhiku nuk kryeson me pëlqime dhe interaktivitet me ndjekësit.
Postimet e tij marrin pëlqime po aq sa merr kryetari i PDK-së.
Dy publikimet janë dy kolazhe me fotografi nga tubimet elektorale për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Fotografia e fundit ka marrë 924 pëlqime, ndërkaq fotografia e dytë ka marrë 1.9 mijë pëlqime, ku i pari i LDK-së shihet të jetë i mëse i kënaqur me punën e elektoratit të tij.
Renditje më ndryshe ka në rrjetin social Instagram, pasi ky rrjet tashmë po përdoret nga politikanët edhe për publikime jashtë detyrës së tyre zyrtare.
Në vendin e parë në rrjetin social Instagram gjendet kryeministri i vendit me plotë 249 mijë ndjekës, dhe 1679 foto të publikuara.

Kryeministri duket se edhe në këtë platformë është më “serioz”, pasi postimet e tij janë më tepër nga puna që ai bën dhe takimet që realizon, shkruan lajmi.net.
Kurti pasohet nga Presidentja Vjosa Osmani me 199 mijë ndjekës, dhe 2385 foto të publikuara.

Osmani në muajt e fundit këtë rrjet social e ka foksuuar vetëm në lidhje me detyrën zyrtare të cilën ajo e ka.
Mirëpo profili në Instagram më parë nga ajo shfrytëzohej edhe përtej “zonës” së punës ku ka publikuar fotografi edhe me dy binjaket e saj, një foto mjaft familjare.
View this post on Instagram
Pas Osmanit renditet Behgjet Pacolli kryetari i AKR-së me 158 mijë ndjekës, dhe 793 postime.
Për dallim me vitin e kaluar Pacolli, nuk ka qenë dhe aq aktiv këtë vit me postim, kjo pasi gjatë këtij viti ish-kryetari i AKR-së, ka postuar vetëm dy herë.

Postimet e tij kanë ngjyra të ndryshme duke filluar nga politika, sporti, showbizi e udhëtimet e shpeshta që ai ka anembanë botës me aeroplanin e tij privat.
View this post on Instagram
E kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, duket se nuk e ka lëshuar “frontin”as në Instagram pasi gjendet në vendin e katërt me plotë 68.3 mijë ndjekës, mirëpo ka tejkaluar me numër të postimeve të gjithë politikanët me 4.640 foto të publikuara.

Haradinaj rrjetin social “Instagram”, e ka shfrytëzuar më tepër gjatë muajve të fundit për të promovuar punën e AAK-së dhe tubimet elektorale.
Në vendet e fundit gjenden Lumir Abdixhiku dhe Bedri Hamza. Kreu i LDK-së ndiqet nga 16 mijë e 100 ndjekës dhe ka 985 postime.
Abdixhiku, nuk ka vendosur që të bëjë një ndarje mes dy rrjeteve “Facebook” e “Instagram”, pasi edhe në rrjetin social Instagram ka shumë publikime nga jeta politike.

Tutje kryetari i PDK-së ndiqet nga 6 mijë e 518 ndjekës dhe ka 561 postime.
Hamza nuk është se ka bërë ndonjë dallim nga Facebook pasi postimet e njëjta hasen në të dyja platformat pa ndonjë ndryshim.

Përveç kësaj Hamza dhe Abdixhiku në muajt ka qenë më aktiv me realizimin e videove të prezantimit të kandidatëve të rinj për deputetë nga këto parti.
Ndryshe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, mbeten gratë më të ndjekura në rrjetin social në Facebook.

Haxhiu ndiqet nga 80 mijë ndjekës në Facebook, kurse dy pasueset e saj Hykmete Bajrami nga 41 mijë ndjekës dhe Blerta Deliu-Kodra, nga 57 mijë ndjekës.


Ani pse kap shifrën prej 80 mijë ndjekësve, Haxhiu nuk është se ka ndonjë aktivitet të lartë të ndjekësve të saj. Vlerat e pëlqimeve dhe shikimeve në rrjetin e saj janë të “ulëta”.
Ajo së fundmi ka publikuar një video rreth asaj se çfarë do të bëjë LVV-ja pas përfundimit të zgjedhjeve ku ka marrë vetëm 423 pëlqime, 23 komente dhe pesë ndarje.
Ndryshe në raport me pëlqime dhe komente të tri përfaqësueset e partive politike qëndrojnë në një vijë. /Lajmi.net/