GAP: Kosova radhitet e pesta në botë dhe e para në Evropë për pjesëmarrjen më të ulët të grave në treg të punës
Instituti GAP ka publikuar një raport me titull “Emigrimi dhe tregu i punës në Kosovë: Potenciali i papërdorur i fuqisë punëtore joaktive”, e në mesin e saj ka përmendur edhe numrin e fuqisë punëtore jo-aktive. Sipas këtij raporti, në Kosovë janë gjithsej 613,029 persona jo-aktiv në treg të punës, nga ta 402,847 apo 66% janë…

Lajme
Instituti GAP ka publikuar një raport me titull “Emigrimi dhe tregu i punës në Kosovë: Potenciali i papërdorur i fuqisë punëtore joaktive”, e në mesin e saj ka përmendur edhe numrin e fuqisë punëtore jo-aktive.
Sipas këtij raporti, në Kosovë janë gjithsej 613,029 persona jo-aktiv në treg të punës, nga ta 402,847 apo 66% janë gra, shkruan lajmi.net.
“Nga gjithsej 613,029 persona jo-aktiv në treg të punës në Kosovë, 402,847 (66%) janë gra, ndërsa 210,182 (34%) janë burra. Kjo do të thotë se shkalla e jo-aktivitetit ekonomik tek gratë është për 32 pikë përqindje më e lartë se e burrave”, ka raportuar GAP.
Me këtë numër të grave të papunësuara, sipas GAP, Kosova radhitet e pesta në botë dhe e para në Evropë për pjesëmarrjen më të ulët të grave në treg të punës.
Sipas këtij raporti, disa nga sfidat që gratë hasin për të hyrë në treg të punës përfshijnë: detyrat e kujdesit për familjen, mungesën e kopshteve për fëmijë, mospërshtatjen në mes të aftësive të tyre dhe kërkesave të tregut të punës, mungesën e kontratave të punës formale, pagat e ulëta dhe hendekun gjinor të pagave, mungesën e kompensimit për orët e tepërta dhe punën praktike, mbështetjen e pamjaftueshme nga qeveria, frikën e humbjes së ndihmave sociale, mundësitë e kufizuara të transportit dhe tjera të ngjashme.
“Gratë të cilat jetojnë në zona rurale janë dyfish më të prirura të qëndrojnë ekonomikisht jo-aktive krahasuar me ato të cilat jetojnë në zona urbane.21 Sipas studimeve, në familjet të cilat pranojnë remitanca, pjesëmarrja në treg të punës është më e ulët, veçanërisht pjesëmarrja e grave. Ndikimi i remitancave në rritjen e pagës rezervë ndikon negativisht në ofertën e punës. Bazuar në faktin se Kosova pranon vlerë të lartë të remitancave (1.35 miliardë në 2024), ato ndikojnë ndjeshëm në sjelljen e tregut të punës duke siguruar një burim shtesë të të ardhurave familjare. Sipas të dhënave të ASK-së, remitancat janë burim kryesor i të hyrave për rreth 7% të ekonomive familjare.26 Kjo siguri financiare u mundëson përfituesve të jenë më selektivë në kërkimin e punës dhe të qëndrojnë joaktivë në tregun e punës”, thuhet në raport.