“Gani Geci e vrau Sandokanin” – Kjo është deklarata e Rexhep Selimit që iu shfaq Fadil Gecit në Hagë

Në Gjykatën Speciale po dëshmon Fadil Geci, vëllau i Gani Gecit. Ai aty është pyetur për komunikatën 59 të UÇK-së, në të cilën etiketohet familja e tij, shkruan lajmi.net. Gjithashtu, ai është përballur edhe me disa prova(deklarata) të dhëna gjatë luftës nga Rexhep Selimi që tash është i akuzuar në Hagë. Çka kishte thënë Rexhep…

Lajme

21/10/2024 16:45

Në Gjykatën Speciale po dëshmon Fadil Geci, vëllau i Gani Gecit.

Ai aty është pyetur për komunikatën 59 të UÇK-së, në të cilën etiketohet familja e tij, shkruan lajmi.net.

Gjithashtu, ai është përballur edhe me disa prova(deklarata) të dhëna gjatë luftës nga Rexhep Selimi që tash është i akuzuar në Hagë.

Çka kishte thënë Rexhep Selimi më 30 tetor, në një intervistë për gazetën “Zëri”?

“Vrasja e komandant Sandokanit është një vrasje në vazhdën e vrasjeve nga tradhtia të njerëzve të mëdhenj. Abedin Rexha u vra nga dora e tradhtarit në pritë, ashtu siç kemi raste gjatë historisë sonë kur njerëzit e mëdhenj vriten nga tradhtarët. Kjo nuk bën të fshehet, përkundrazi në atë moment kur fshehet bëhet një atentat i dytë mbi Abedinin, prandaj kemi borxh që vrasjen e tij ta konsiderojmë si një vrasje, si një rënie në luftë për liri. Edhe njëherë po e përsëris se Abedin Rexha nuk guxon të vritet për së dyti, duke mos treguar si u vra.

Vrasja e Abedinit përshkruhet mirë në komunikatën numër 59 të UÇK-së, ku thuhet qartë se kush e vrau, me emër dhe mbiemër: Gani Geci. Pse u vra? E vrau politikisht, apo? Kjo dorë që e vrau Abedin Rexhën e kishte paralajmëruar edhe më herët se do ta vriste, sepse për Abedin Rexhën në atë kohë thuhej se është një shtyllë e rëndësishme e vijës së UÇK-së, e cila duhej të hiqej. Kështu flitej nga ata që ishin kundër vijës së UÇK-së, kundër UÇK-së në përgjithësi, e unë këtu nënkuptoj forcat e Bukoshit, FARK-un, të cilët në mënyrë direkte kishin paralajmëruar Abedin Rexhën se do ta vrisnin. Dhe, e bënë këtë përmes dorës së Gani Gecit. Kështu duhet të shihet kjo: Kush e vrau dhe pse e vrau? Dhe, kush u vra?

U vra një komandant brigade, u vra një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Drenicë, themeluesi i brigadës 112, u vra aksionisti i hershëm i UÇK-së, u vra ai që gëzonte dhe që akoma gëzon një autoritet në popull. Atëherë, pse të fshehet kjo? Për hatër të askujt e vërteta nuk duhet të fshehët”, kishte deklaruar Rexhep Selimi më 30 tetor 1999 për javoren “Zëri”.

Kur u përball me këtë deklaratë, Geci tha se Selimi “ka gabuar” që e ka shkruar këtë deklaratë, dhe “se e di që nuk është ashtu”, e madje “është ngutur e ka gabuar”.

“Ka gabu që e ka shkru. E din që nuk është ashtu. Rren është. I ka vy, është përfaqëues i LPK-së, për palën tjetër që është ashtu ose kështu. Forcat e Bujar Bukoshit, kanë qenë të rregullume brenda sistemit shtetëror të Kosovës, qaj shtet që e kemi pasë”, tha ai. /Lajmi.net/