Fushata zgjedhore në Kosovë, analistët: Veriu si temë kryesore për Vetëvendosjen

Subjektet politike kanë intensifikuar takimet me qytetarë nëpër komuna të ndryshme derisa zgjedhjet parlamentare po afrohen. Analistët thonë se veriu do të jetë tema kryesore që LVV do të synojë ta paraqes në zgjedhje. Analisti Ylli Hoxha ka theksuar se nuk është surprizë që veriu i Kosovës do të jetë fokusi kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje…

Lajme

16/09/2024 22:32

Subjektet politike kanë intensifikuar takimet me qytetarë nëpër komuna të ndryshme derisa zgjedhjet parlamentare po afrohen.

Analistët thonë se veriu do të jetë tema kryesore që LVV do të synojë ta paraqes në zgjedhje.

Analisti Ylli Hoxha ka theksuar se nuk është surprizë që veriu i Kosovës do të jetë fokusi kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ai në RTV Dukagjini theksoi se opozita është në një pozicion të pafavorshëm për këtë çështje.

Sipas Hoxhës, opozita ka mbajtur qëndrim të pavendosur për veriun, duke mbështetur LVV-në herë pas here, por gjithmonë në varësi të qëndrimeve të ambasadave të huaja.

“Opozita ose ka heshtur për veriun ose ka përkrahur LVV-në kohë pas kohe për veriun. Por kjo përkrahje ka zgjatur derisa ka reaguar ndonjë ambasadë e huaj e pastaj opozita ka reaguar në linjë me ndërkombëtarët”, ka deklaruar Hoxha.

Nga ana tjetër, analisti politik nga Maqedonia e Veriut Blendi Hodaj e përshkroi vizitën e kryeministrit Albin Kurti në veri si një “sfilatë”, pjesë e një strategjie zgjedhore.

Ai sugjeron se LVV-ja synon ta shfrytëzojë suksesin e kontrollit në veri si temën kryesore të fushatës së saj, duke mbështetur këtë strategji me retorika.

Hodaj beson se kjo retorikë ka krijuar një hapësirë propagandistike që LVV-ja do ta përdorë për të promovuar suksesin në veri.

Kastriot Jahaj e konsideron qeverisjen e Kurtit si vazhdimësi të premtimeve për qasje të ashpër ndaj Serbisë, duke theksuar se Kurti ka imponuar me forcë zbatimin e disa marrëveshjeve.

“Kurti ka ardhur në qeverisje me premtimin që do të vazhdojë të jetë i ashpër ndaj Serbisë dhe kështu ka vepruar edhe gjatë qeverisjes. Mirëpo ato marrëveshje të nënshkruara nga qeveritë e kaluara që kanë qenë në proces të zbatimit Kurti i ka shtyrë me forcë”, ka deklaruar Jahaj.

Ndërsa Lirim Mehmetaj, duke komentuar prezencën e trupave të KFOR-it në Kosovë, tha se kërkesa për shtim të trupave nënkupton zvogëlim të sovranitetit të Kosovës.

Mehmetaj gjithashtu theksoi se LVV-ja po ndërton fushatën e saj rreth suksesit në veri, duke përmendur guximin e Kurtit për të luftuar bandat kriminale dhe për të shtrirë sovranitetin në atë pjesë të vendit.

Derisa analisti Ibrahim Delija thekson se Kurti ka qenë i vetmi që ka kundërshtuar krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe ka mbrojtur territorialitetin e Kosovës në të kaluarën.

Ai thotë se nën qeverisjen e Kurtit, qytetarët në veri kanë marrë guxim për të hapur biznese dhe për të përdorur burimet natyrore, si Liqeni i Ujmanit, për piknik.