Fund paralelizmit të paralelizmit

Ambasadori Ian Cliff ka thënë se nëse do të ketë bojkot të zgjedhjeve, kjo do të çonte në qorrsokak, por Beogradi, Prishtina dhe bashkësia ndërkombëtare nuk do të kthehen më mbrapa.

Lajme

15/10/2013 16:00

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të dalin në zgjedhje, duke vlerësuar se ato janë shumë të rëndësishme.

Duke folur për Radio Kontakt Plus të Mitrovicës së Veriut, diplomati britanik tha se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme dhe për këtë shkak Bashkimi Europian ka vendosur të dërgojë vëzhgues në këtë proces.

“Këto zgjedhje janë të rëndësishme sepse ato do të tregojnë se si do të jetë përparimi në të ardhmen dhe cila do të jetë ardhmëria edhe e Serbisë edhe e Kosovës në rrugën drejt BE’së”, ka thënë Cliff.

Ai shtoi se BE nuk bën vëzhgim dhe monitorim të zgjedhjeve aty ku këtë e bën OSBE, ndërsa deri më tani “asnjëherë nuk ka vëzhguar zgjedhjet lokale”.

Sipas tij, zgjedhjet janë të një rëndësie të veçantë për Veriun e Kosovës, ku për herë të parë do të zgjidhet institucioni i Kryetarit të Komunës që do të jetë i pranueshëm edhe për Prishtinës edhe për Beogradin, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare.

“Thjesht, nuk do të ketë më paralelizëm të paralelizmit. Nëse do të ketë bojkot të zgjedhjeve, kjo do të na çonte në qorrsokak, por Beogradi, Prishtina dhe bashkësia ndërkombëtare nuk do të kthehen më mbrapa”, tha Cliff.

Bojkoti eventual, sipas Cliff, do të bënte që zëri i atyre që nuk kanë votuar të mos dëgjohet siç do të dëgjohej nëse do të kishte institucione të zgjedhura.

Cliff tha se njerëzit që janë kundër zgjedhjeve duhet të votojnë dhe të luftojnë për bindjet e tyre, sepse “bojkoti mund t’i kënaq inatet e tyre personale, por nuk do të shpie askund”.