Ftesë për rrëmujë

Për shkaqe të shumta, BE-ja është bërë burimi kryesor i ‘pafuqisë së butë’, dhe i dëshpërimit për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Opinion

08/07/2019 11:27

Blerim Shala

Editoriali i Wolfgang Ischingerit, i titulluar ‘Një Udhërrëfyes për Ballkanin’, i postuar para pak ditësh në portalin e njohur Politico, pa kurfarë dyshimi do të mbështetej prej shumicës dërrmuese të politikanëve dhe qytetarëve të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Ischinger, një diplomat i rryer gjerman, i cili në vitin 2007-të ishte pjesë përbërëse e Troikës së ndërmjetësuesëve ndërkombëtarë  (Ischinger ishte Emisar Special i BE-së, Ambasadori Frank Wisner i SHBA-së, ndërsa Ambasadori Alexander Botsan-Kharchenko i Federatës së Rusisë), në fazën finale të negociatave për përcaktimin e statusit të Kosovës, ndërsa tash e sa vjet është në krye të Konferencës së sigurisë të Mynhenit, ka bërë, në këtë shkrimin e tij autorial, një përmbledhje më të mirë të mundshme të sprovave, gjithnjë e më problematikë, përherë e më të rrezikshme, me të cilat po përballet kjo anë e Evropës, ku në kryeqendër të tyre është çështja e pazgjidhur në relacionet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Gjithashtu, Ischinger shfaqë në këtë opinion të tij propozimet për Bashkimin Evropian, se si do të duhej tash e tutje t’i qasej vetë dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve  (Kosovës dhe Serbisë), por edhe procesit të integrimit të WB6  (kodi i mirënjohur ndërkombëtarë i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, pra, i Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Serbisë), ashtuqë të përmbyllej ndërmarrja evropiane e rrumbullakësimit të hartës politike të BE-së në gjeografinë e Evropës.

Megjithatë, analiza e saktë e Ischingerit për të gjitha kërcënimet e brendshme  (dhe të jashtme), brenda këtyre shteteve të kësaj pjese të Evropës, si dhe rekomandimet edhe më të qëlluara të tij për autoritetet e reja më të larta të BE-së  (që janë në krijim e sipër pas zgjedhjeve të majit për Parlamentin Evropian), si asnjëherë më parë janë në shpërputhje të madhe, dikush mund të thotë edhe të patejkalueshme, me realitetin e sotëm në BE, madje, në përgjithësi, në Perëndim.

Kryepolitikanët e sotëm evropianë, së paku më rrethanat e tanishme, nuk janë të gatshëm fare të mirren me një ‘Udhërrëfyes për Ballkanin’, sepse mendojnë që BE-së disi i ka ‘humbur udha në oborr’  (si thuhet te ne), dhe që në radhë të parë, Brukseli zyrtar duhet të mirret me krijimin e një Harte rrugore për vetë Bashkimin Evropian, ndërsa ‘provincat’  (lexo shtetet), që janë jashtë territorit të tij, mund të presin për kohëra më të mira, nëse ato do të vijnë ndonjëherë.

Dikur BE-ja ishte ‘prodhuesi’ më i madh i ‘soft-power’  (‘fuqisë së butë’), dhe i shpresës dhe optimizmit në Evropë. Pa te, nuk do të mund të imagjinohej dot ri-rregullimi politik, ekonomik, ai hapësinor dhe i sigurisë, i Evropës Perëndimore, pas ngadhnjmit të SHBA-së në ‘Luftën e Ftohtë’ në vitet 1989-1991.

BE dhe NATO ishin binomi që së bashku bënin atë ‘lokomotivën’ e historisë së re të Evropës.

Tani, për shkaqe të shumta, BE-ja është bërë burimi kryesor i ‘pafuqisë së butë’, dhe i dëshpërimit për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Ischinger ta zëmë konstaton në një vend në editorialin e tij që këto shtetet e Ballkanit Perëndimor janë në një ‘paradhomë’ të BE-së, ndërsa në fakt, ato aktualisht nuk janë as në ‘oborrin’ e BE-së, por gjinden në një ‘Listë të pritjes’, e cila nuk ofron të thuash asgjë, pos atij formulimi tashmë të kotë dhe të mërzitshëm që ‘shtetet e Ballkanit Perëndimorë kanë perspektivë evropiane’.

Vitin e kaluar Komisioni Evropian miratoi një Dokument që dukej njëmend pozitiv, motivues, shpresëdhënës për WB6, i cili pikërisht dukej si një ‘Udhërrëfyes për Ballkanin’.

Aty madje përmendej edhe mundësia  (nuk kishte garancë për një gjë të tillë), që shtetet e para të gjashtëses  (Mali i Zi dhe Serbia), të bëheshin anëtarët e 28-të dhe 29-të të BE-së  (Britania e Madhe do të duhej të largohej në ndërkohë), në vitin 2025-të, gjë që pastaj inicoi vlerësimet që Kosova dhe Serbia, jo më vonë se në vitet 2019-të ose 2020-të, do të duhej ta arrinin Marrëveshjen Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënive.

Por, në ndërkohë u kuptua, në shumë mënyra, që shtetet kryesore të BE-së nuk e mbështetin këtë Propozim, dhe nuk e shohin fare si një ofertë reale për WB6.

Përllogaritjet e fundit në këtë aspekt flasin për vitin 2028-të, si vitin tej mase optimist kur Mali i Zi dhe Serbia do të mund të anëtarësoheshin në BE, ndërsa sipas supozimeve që i rrinë më afër realitetit, diçka e tillë, sa i përket afateve kohore, shkon përtej vitit 2030-të, ndërsa diku shumë vite më pas  (diku në vitin 2040-të), do të mund të bëhej kompletimi i hartës evropiane, me përfshirjen e katër shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Këto supozime dhe përllogaritje mbizotëruese të Brukselit dhe kryqendrave të shteteve kryesore të BE-së, janë të njohura në të gjashtë kryeqytetet e WB6, por ato disi nuk bëhen publike për qytetarët  (lexo: votuesit), sepse dihet se çfarë reagimesh dëshpëruese do të shënoheshin në opinionin publik të këtyre shteteve.

Në anën tjetër, duket që askush në qarqet më të larta të BE-së  (dhe në shtetet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian), kur me një ‘lehtësi të padurueshme’ shtynë afatet në vitet dyshifrore për integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, nuk e ka idenë se çfarë vështirësishë dhe telashesh për qëndrueshmërinë afatmesme të këtyre shteteve sjell ky ri-afatizim politik i zgjerimit të BE-së.

Nuk di kush, atje në Bruksel, se si do të mbulohet (disi), kjo zbrazëti 10-20 vjeçare  (prej sot), politike dhe e sigurisë, apo, çka do të mund të bënte BE-ja që disi të menaxhohen dhe të mbahen nën kontroll rrjedhat politikë në këto gjashtë shtete.

Procesi i Berlinit, i lansuar para pesë vitesh  (në vitin 2014-të), në radhë të parë për të kontribuar pikërisht në menaxhimin e pritjeve të këtyre gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, nuk do të mund dot ta adresojë këtë ‘deficit’ të madh politik në këto shtete.

Kjo perspektivë depresive politike që shpërndahet anëkënd Ballkanit Perëndimor nga BE-ja, shfaqet me një mori dyshimesh dhe pikëpyetjesh kur bëhet fjalë për mundësitë reale të përmbylljes së suksesshme të bisedimeve të Brukselit në mes të autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë.

Motivi i anëtarësimit afatmesëm të Serbisë në BE, që shihej si një shtytës vendimtar për Beogradin për ta bërë Marrëveshjen Ligjësisht obligative me Kosovën, tani është me ‘afat të skaduar’. Lidershipi evropian të cilin e thërret Ischinger në editorialin e tij, madje, duke marrë si shembull përkushtimin dhe vendosmërinë e shprehur në Dayton  (Konferenca Paqësore për Bosnjën dhe Hercegovinën, në vitin 1995), është një fjali dëshirore politike.

Në rrethanat krejtësisht tjera, shumë më të volitshme se sa tash, një BE më e fuqishme dhe më e vendosur, në dimrin/ pranverën e vitit 2008-të nuk arriti të unifikohej rreth pavarësisë së Kosovës. Po të ishte ashtu, pa kurfarë dyshimi, Kosova dhe Serbia tashmë do ta kishin bërë atë Marrëveshjen historike për normalizmin e marrëdhënieve.

Është thënë edhe më parë: Mungesa e unitetit në BE i ka shkaktuar Kosovës dëme shumëfish më të mëdha se sa Federata e Rusisë.

Nëse këtu i kthehemi paraleles historike të Ischingerit në mes të Daytonit dhe ‘Hartës rrugore për Ballkanin’, çfarë të bie menjëherë ndërmend është që si Daytoni, ashtu më pas edhe Rambouilleti dhe Viena  (procesi i definimit të statusit të Kosovës), janë ndërtuar mbi një partneritet dhe bashkëpunimin në mes të Washingtonit dhe Brukselit  (jo vetëm si BE, por edhe si Aleancë Veri-Atlantike).

Ky partneritet, sado që duket vështirë i arritshëm në këtë ambientin e çoroditur politik ndërkombëtra të viteve të mbrama, është çelësi për bërjen e atij ‘Udhërrëfyesi rrugor’ për Kosovën dhe Ballkanin.

Nuk ka rrugë tjetër për Perëndimin. Dhe as për ne, këndejpari.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)