FSK shpallë fituesit e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2026”
Në ceremoninë e organizuar sot është përmbyllur “Gara e ushtarit më të mirë 2026” ku u shpallën rezultatet e garës që u realizua nga data 13-27.04.2026, me pjesëmarrjen e 44 konkurrenteve, 22 nga ta ishin pjesëmarrës ndërkombëtarë ndërsa 22 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ekipet e vlerësimit të garuesve, pas përfundimit të të…
Lajme
Në ceremoninë e organizuar sot është përmbyllur “Gara e ushtarit më të mirë 2026” ku u shpallën rezultatet e garës që u realizua nga data 13-27.04.2026, me pjesëmarrjen e 44 konkurrenteve, 22 nga ta ishin pjesëmarrës ndërkombëtarë ndërsa 22 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ekipet e vlerësimit të garuesve, pas përfundimit të të gjitha diciplinave, shpallën edhe fituesit e kësaj gare ndërkombëtare.
Vendi i parë për garuesit nga FSK i takoi OR2 Elvis Qitaku nga Regjimenti i dytë i Këmbësorisë ( R2K) dhe njëherit u shpall “Ushtari më i mirë 2026” nga FSK-ja, i dyti u radhit OR3 Ismail Ahmeti ( R1K), ndërsa vendi i tretë i takoi OR3 Sead Vesli nga (R3K).
Ndërsa nga radhët e ndërkombëtareve të tri vendet u fituan nga ushtarakët e Republikës së Shqipërisë, vendin e parë e fitoi N/ Tetar, Hil Mala, i cili njëherë u shpall “Ushtari më i mirë ndërkombëtar 2026”, vendi i dytë i takoi Ushtar IV Hambel Peçi dhe vendi i tretë i takoi N/Tetar Marjus Cauli.
Në ceremoninë përmbyllëse të garës së ushtarit më të mirë morën pjesë, Oficerë të lartë të FSK-së, nënoficerë të FSK-së dhe vendeve partnere.Në garën “Ushtari më i mirë 2026” morën pjesë garues nga, Ajova, Corps V -ShBA, Italia, Kosova, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria.
Pjesëmarrësit garuan në disiplinat: testi fizik, gjuajtje me armë të gjata dhe të brezit, navigim tokësor, kalimi i poligonit të besueshmërisë, hedhja e granatës, ndihma e parë, vëzhgimi i terrenit dhe marshimi.
Pjesëmarrja e garuesve nga ushtritë e vendeve të NATO-s dhe partnere tregon ndërveprueshmërin e FSK-së, përkushtimin tonë të përbashkët me vlerat euroatlantike, që tregon qartë shkallën e lartë të bashkëpunimit me vendet partnere, që FSK e ka krijuar me punë, disiplinë, përkushtim dhe profesionalizëm.