“FSK me aleatët e saj do t’i mbrojë kufijtë”, Maqedonci: 70 për qind e ushtrisë serbe pranë kufirit të Kosovës
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i është përgjigjur kërcënimeve të vazhdueshme nga Serbia për luftë dhe pushtim të Kosovës. Maqedonci thekson se kërcënimet janë reale dhe se Beogradi zyrtar ka vendosur 70 për qind të ushtrisë në jug dhe jo larg kufirit me Kosovën Ministri Maqedonci garantoi se FSK, bashkë me aleatët amerikanë…

Lajme
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i është përgjigjur kërcënimeve të vazhdueshme nga Serbia për luftë dhe pushtim të Kosovës.
Maqedonci thekson se kërcënimet janë reale dhe se Beogradi zyrtar ka vendosur 70 për qind të ushtrisë në jug dhe jo larg kufirit me Kosovën
Ministri Maqedonci garantoi se FSK, bashkë me aleatët amerikanë dhe të NATO-s, do të mbrojnë çdo pëllëmbë tokë të Kosovës.
“Ne i shohim gjithmonë si të mundshme këto kërcënime. Ne e shohim gjithmonë të mundshme që Serbia në një moment mund të ndërmarrë veprime për të destabilizuar rajonin. Kjo është edhe arsyeja pse ne jemi të përkushtuar që të ndërtojmë një forcë ushtarake të aftë për të mbrojtur territorin e Kosovës, për të mbrojtur jetën e qytetarëve tanë dhe për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin në botë, duke përqafuar gjithmonë vlerat e NATO-s, vlerat perëndimore dhe duke shtyrë përpara interesat, të cilat i kemi si vendet demokratike”, tha Maqedonci, për A2CNN.
Ai tha se Kosova në vazhdimësi ngre shqetësim prezencën e bazave të përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës.
“Diku 70 për qind e të gjitha kapaciteteve ushtarake të ushtrisë së Serbisë janë të vendosura në jug të territorit të saj, pra jo larg Republikës së Kosovës. Dhe kësaj duke i shtuar edhe këto 48 bazat e përparme që ne gjithmonë vlerësojmë se paraqesin kërcënim. Kur fqinji ti vendos në kufi forcat ushtarake në një farë forme apo një tjetër e kërcënon sigurinë dhe stabilitetin e atij vendi”, tha ai.
Maqedonci tha se kjo nuk po bëhet rastësisht.
“Dhe kur e kemi gjithë këtë prezencë dhe kemi një mbështetje të grupeve kriminale dhe terroriste, siç ishte ai i Radoiçiqit, që tentoi aneksim të Veriut të vendit tonë, tregon për qasjen agresive që Serbia vijon ta ketë në raport me Republikën e Kosovës”, tha Maqedonci.